Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte shënuan rritje në 6-mujorin e parë të këtij viti dhe ato ishin të përqendruara kryesisht në sektorët e hidrokarbureve dhe energjetikës, përkatësisht në masat 18% dhe 13%.
Sipas BSH-së, investimet e huaja po rezistojnë në nivele të larta edhe pas përfundimit të disa investimeve madhore në sektorin energjetik, kryesisht gazsjellësit TAP dhe disa projekteve të rëndësishme koncesionare në energjinë hidrike.
Në sektorin e hidrokarbureve, rritja e çmimeve të naftës i ka bërë më tërheqëse investimet e reja, me qëllim rritjen e prodhimit. Kjo evidentohet nga fakti se sektori i hidrokarbureve ka dominuar fluksin e investimeve të reja edhe në tremujorin e dytë të vitit.
Ndërkohë, edhe energjetika po shënon vlera të larta të investimeve, por tashmë me një zhvendosje të fokusit drejt investimeve në impiantet e energjisë diellore.
“Investimet e huaja direkte janë një kontribuues i rëndësishëm në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe në rritjen ekonomike, por njëkohësisht edhe në ekuilibrimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë”, thekson BSH-ja.