Shon Tomson/
Ndërron jetë një grua e moshuar e rrethuar nga të dashurit, e cila pati fatin e mirë të gëzonte, deri ditët e saj të fundit, shëndet të mirë. Pas kësaj vdekjeje “të mirë” (siç do të quhej normalisht) ndoshta të bën përshtypje që në lajme flitet për “tronditje”, “humbje të madhe” dhe “trishtim të madh”. Lind pyetja: A nuk janë të tepërta këto reagime për vdekjen e një shumë të moshuare? Dmth, përse gjithë kjo zhurmë?
Nëse nuk e keni kuptuar ende, Elizabeta II ishte personazhi publik më i rëndësishëm në botë. Asnjë figurë tjetër publike nuk krahasohet me të përsa i përket famës apo prestigjit. Vini re, nuk po them që ishte personi më i rëndësishëm në botë, se kjo do të thotë t’i ngatërrosh dy gjëra të ndryshme. Thjesht, po vë në dukje diçka që është e pakundërshtueshme, faktin që shoqëria njerëzore orientohet nga disa marrëdhënie kolektive.
Po ju jap një krahasim: kur vdes një e moshuar në lagjen tuaj, mund të shkoni për ngushëllim edhe pse nuk e njihni vetë, thjesht sepse e keni në lagje. Kështu që, kur vjen puna te Mbretëresha Elizabetë, të cilën e kanë si “gjyshe” qindra miliona njerëz, i bie që të gjithë e kemi pasur në lagje!
Sigurisht, për qytetarët britanikë (dhe të 14 shteteve të tjera mbi të cilat ajo ishte sundimtare) vdekja e mbretëreshës ka pasoja të drejtpërdrejta në rrafshin politik. Por largimi i saj nga kjo jetë ndihet edhe për arsye të tjera që mund të kuptohen lehtë. Ndonëse pushteti i saj ishte më shumë simbolik sesa real, s’duhet nënvlerësuar fuqia e simbolikes, aq më tepër kur fati e vendosi atë në duart e një gruaje të urtë dhe fisnike, që dinte ta vinte në punë, madje për një hark kohor më të gjatë sesa çdo drejtues tjetër.
Ky është një rast për të konstatuar që bota nuk kërkon të ketë vetëm VIP-a për t’i adhuruar, por ekzistoka një dëshirë për të patur njerëz që mishërojnë vlera të mira dhe që paraqesin një shembull pozitiv në jetën publike. Ndonëse Elizabeta ishte e pasur dhe gëzonte privilegje të jashtëzakonshme, ajo arriti të ruajë integritetin e saj në një botë ku është normale që njeriu që jeton mes luksit të humbasë veten. Ajo jo. Ishte dinjitoze në çdo kohë, por pa e humbur thjeshtësinë. Ishte trimëreshë, sepse në kohën e luftës shërbeu me uniformë në Londër, edhe pse qeveria donte ta largonte për në Kanada. Ishte shumë punëtore, aq sa nuk mjaftojnë këta rreshta ta përshkruajmë punën e madhe që ka bërë gjithë për vendin e saj.
Mjafton të theksohet që ishte ende në krye të detyrës në moshën 96 vjeçare! Edhe pse u bë mbretëreshë jashtë plani, kur xhaxhi i saj, Edward VIII, abdikoi (dhe thuhet se çdo ditë i lutej Perëndisë që mami dhe babi i saj të bëheshin me djalë), prapëseprapë, nuk e shmangu detyrën që i ra, duke i qëndruar besnike premtimeve që i bëri Zotit ditën e kurorëzimit të saj. Titullin mbretëreshë mund t’ia kenë trashëguar të tjerët, por reputacionin e madh që gëzon sot emri “Mbretëresha Elizabeta II” e meritoi plotësisht me jetën e saj.
Ndoshta gjatë ditëve në vazhdim do të lodheni së dëgjuari për mbretëreshën. Por nëse keni patur ndonjëherë një vdekje në fis e dini që vdekjet kështu janë, gjithpërfshirëse e të lodhshme! Do të duhet të na duroni dhe ca, neve që e kemi pasur Elizabetën në fis…