Skënder Gega nuk është më trajner i Kukësit. Përmes një postimi në ‘Facebook’, FK Kukësi njofton se ka qenë vetë tekniku tropojan që ka dhënë dorëheqjen.

Trajneri ishte shprehur vazhdimisht se do të merrte përgjegjësitë për mungesën e rezultateve dhe duket se kështu ka ndodhur. Gega është shprehur se kjo është më e mira në këtë situatë, duke iu referuar rezultateve të dobëta të skudrës së Kukësit.

“FK Kukësi njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Skënder Gega. Pas rezultateve të ndeshjeve të para, trajneri Gega ka paraqitur dorëheqjen në klub dhe pavarësisht besimit që i është dhënë nga klubi, trajneri Gega nuk ka bërë kthim pas.

“Falënderoj klubin dhe Presidentin e Nderit, Safet Gjici për mbështetjen dhe besimin. Falënderoj të gjithë bashkëpuntorët që kisha, por besoj se kjo është më e mira në këtë situatë”, u shpreh trajneri Gega.

Klubi i Kukësit e falënderon trajnerin Gega për bashkëpunimin dhe i uron suksese në karrierën e tij”, njofton FK Kukësi.