Kombëtarja sh qiptare është në një situatë që do t’i nevojitej një “barkë shpëtimi”. Presidenti Armand Duka apo FSHF-ja, nuk e kanë zyrtarizuar ende largimin e trajnerin Edi Reja, edhe pse tashmë gjendja dihet dhe mund të themi që çdo gjë ka mbaruar. Por çështja është sa kohë do të humbim akoma për të nisur një kapitull të ri. Nga një anë federata mirëkuptohet për faktin që kërkon një ndarje paqësore me italianin, sepse ai është ende nën kontratë dhe i përfundon më 26 nëntor.
Madje flitet që 76-vjeçari, ose me saktë 77, pas datës 10 tetor, do të qëndrojë për të drejtuar edhe dy miqësoret, me Arabinë Saudite dhe Italinë. Por a është kjo në interes të Kombëtares? Patjetër që jo, sepse është një kohë e humbur. Nëse do të vijë një trajner i ri, pse të mos fillojë nga detyra që përpara këtyre miqësoreve. Do të ishte një mundësi e mirë për t’u njohur me grupin e lojtarëve, mentalitetin, frymën dhe ambientin kuqezi, që më pas do të sillte edhe përgatitjen për kualifikueset e radhës. Kështu që FSHF-ja s’duhet ta zvarrisë më shumë këtë punë, por të kthejë faqen e librit menjëherë për të nisur një tjetër kapitull, që urojmë të jetë më i suksesshëm sesa ky që sapo u mbyll.
TRAJNERI I RI
Aktualisht kanë filluar spekulimet për emrat e kandidatëve për stolin e Shqipërisë, që pritet të zëvendësojnë Edi Rejën. Xhankarlo Kamoleze është njëri prej tyre, për vetë faktin që ka qenë edhe më përpara duke mbajtur postin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare dhe ka mbikëqyrur nga afër gjithë situatën. Ai është larguar së fundmi nga ky post dhe FSHF-ja nuk ka dhënë ndonjë arsye për këtë largim.
Një tjetër opsion është Besnik Hasi, i cili mbetet “kandidati i përjetshëm” për këtë post. Një ishkapiten kuqezi që aktualisht është pa ekip dhe më parë ka drejtuar skuadra si Anderleht, Olimpiakos apo Legian e Varshavës.
Një tjetër alternativë që spekulohet, është mundësia e rikthimit të Xhani de Biazit, trajnerit të suksesshëm që arriti të kualifikohej me Shqipërinë në “EURO 2016”. Edhe pse ai është trajner i Azerbajxhanit, me ofertën e duhur mund të shohim edhe një rikthim të bujshëm./Panorama