Për shkak të luftës në Ukrainë dhe një rreziku real të ndërprerjes së furnizimeve energjitikenga Rusia, Norvegjia është shndërruar në furnizuesen e parë me gaz të Bashkimit Evropian, që prej muajsh po përpiqet të diversifikojë burimet e furnizimit, në mënyrë që të reduktojë gjithnjë e më shumë varësinë e tij nga Rusia.
Norvegjia, një vend anëtar i NATO-s, por jo i Bashkimit Evropian, ka arritur të rrisë me shpejtësi prodhimin dhe të plotësojë një nevojë në rritje për zëvendësimin e gazit rus. Dhe për momentin por arkëton fitime të mëdha. Norvegjia është eksportuesja e shtatë më e madhe e naftës në botë, dhe e katërta më e madhe e gazit.
Sipas të dhënave nga instituti statistikor norvegjez, në 8 muajt e parë të këtij viti eksportet e gazit arritën vlerën e 775 miliardë koronave norvegjeze, rreth 77 miliardë euro, ose 315 për qind më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Në muajin gusht, eksportet e gazit arritën maksimumin e tyre historik:176 miliardë korona norvegjeze, ose 17 miliardë euro, gati 40 për qind më shumë se një muaj më parë, dhe 360 për qind më shumë se në gushtin e vitit 2021.
Në vitin 2021, Norvegjia eksportoi afro 113 miliardë metra kub gaz në Bashkimin Evropian dhe ishte furnizuesja e dytë pas Rusisë, e cila shiti 155 miliardë metra kub. Ndërkohë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ajo është bërë furnizuesja më e madh e Bashkimit Evropian.
Që nga fillimi i vitit, Oslo ka eksportuar gaz për një vlerë prej 60 miliardë eurosh, pothuajse 80 për qind të të gjithë eksporteve të gazit, dhe 304 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Por Norvegjia shtoi jo vetëm vëllimin e shitjeve, por ka përfituar edhe nga çmimet teje të larta të lëndëve të para.
Në gusht, fitimet e saj ishin më shumë se 4 herë më të larta se në vitin 2021, krahasuar me vëllimet e shitjeve, që u rritën me vetëm 12.8 për qind. Qeveria norvegjeze parashikon se të ardhurat e nga nafta dhe gazi do të arrijnë në 100 miliardë euro këtë vit, një shifër kjo e jashtëzakonshme.
Po ashtu janë rritur edhe eksportet e naftës. Që nga fillimi i vitit, Norvegjia ka eksportuar 35 miliardë euro naftë, ose 61 për qind më shumë se vitin e kaluar. Duke pasur parasysh perspektivat e larta të fitimeve, Norvegjia pret që të ruajë nivelet aktuale të prodhimit të gazit deri në vitin 2030, njoftoi Ministri norvegjez i Energjisë, Terje Aasland, në fundin e muajit gusht raporton bota.al.
Reduktimi i mëtejshëm i gazit rus në Bashkimin Evropian javët e fundit, e ka bërë këtë vend thelbësor për furnizimin e kontinentit Aq sa Komisioneri Evropian për Energjinë, KadriSimson, deklaroi një konferencë për shtyp se së bashku me Norvegjinë po përpiqen të krijojë një linjë të qëndrueshme dhe në rritje të furnizimit, duke kërkuar në këmbim që vendet e BE-së ta blejnë lëndën e parë me një çmim më të ulët, në krahasim me atë të tregut.
Kjo dinamikë ka nxjerrë më në pah një paradoks që në fakt ekziston prej vitesh. Norvegjia po pasurohet falë eksporteve të lëndëve djegëse fosile, ndërkohë që është një nga vendet më të përparuara sa i përket burimeve të rinovueshme.
Por kriza energjetike në Bashkimin Evropian, e ka shtuar presionin që Norvegjia të rrisë më tej prodhimin e gazit dhe naftës, me kërkime të reja edhe në zona të ndjeshme, të kontestuara nga ambientalistët, si në Detin Barenc. Kjo dilemë ka pasoja në debatin e brendshëm politik, që u shfaq edhe në fushatën elektorale të vitit 2021.
Në realitet, përveç të Gjelbërve dhe të Majtës Socialiste, asnjë nga partitë kryesore nuk kërkoi që t’i jepet fund eksplorimeve për burime të reja, si për shkak të pasojave të mundshme tek punësimi, por edhe sepse të ardhurat nga gazi dhe nafta mund të financojnë zhvillimin e energjisë së pastër në vend.