Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimit Milva Ekonomi mori pjesë në Konferencën Ministrore të Ballkanit Perëndimor për Reformën e Administratës Publike.
Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA), me mbështetjen e OECD/SIGMA, mblodhi së bashku ministrat e rajonit për administratën publike,drejtues të institucioneve publike, si dhe përfaqësues nga Komisioni Europian. Gjatë punimeve të ministerialit i pranishëm ishte edhe u kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovačevski.
Në takim u diskutua për të ardhmen e qasjes me në qendër qytetarin në sektorin publik, qeverisjen dhe dixhitalizimin. Të pranishëm të tjerë në konferencë ishin Admirim Aliti, Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës së Maqedonisë së Veriut, Josip Grubesha, Ministrja e Drejtësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Maja Maçužić Puzić , Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale i Serbisë, Dragisha Janjusheviq, Sekretar Shtetëror i Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi, Bardhyl Dobra Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Daniele Dotto, Zëvendës Drejtor dhe Shef i Njësisë për qeverisjen dhe administratën publike në Drejtorinë e Përgjithshme për Mbështetjen e Reformës Strukturore dhe Florian Hauser, Udhëheqës i Ekipit për PAR në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), Maja Handjiska – Trendafilova, drejtoreshë e ReSPA.
Ministrja Ekonomi në fjalën e saj deklaroi se reforma në administratën publike, për të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor mbetet prioritet kyç për të ndërtuar shoqëri dhe ekonomi të qëndrueshme me synim avancimin e procesit integrues në BE.
Më tej ajo u shpreh se reforma e shërbimeve publike mbetet kyç për ti shërbyer edhe më mirë qytetarëve. Dhe siç është bërë e njohur nga OECD/SIGMA, Shqipëria mbetet vendi me rritjen më të shpejtë në rajon në transformin digjital, arritje kjo që është konfirmuar edhe në raportin vjetor E-Governance të OKB-së.
Sot në portalin E-Albania ofrohen 1212 shërbime elektronike dhe vetëm për 6 muajt e parë të vitit janë shkëmbyer 215 milion trasanksione të mundësuara nga interoperatibilteti i 55 sistemeve elektronike të lidhura midis tyre.
Gjatë punimeve të konferencës u nënvizua rëndësia e forcimit të sigurisë kibernetike dhe masat që vendet e rajonit duhet të ndërmarrin.
Në Konferencë, ReSPA organizoi edhe Ceremoninë e Çmimeve të Administratës Publike në Ballkanin Perëndimor, ku Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) u vlerësua me çmimin “Njohje speciale për besimin në administratën publike për sistemin e E-Ankesave”.
Nga ana e OECD/SIGMA u nënvizua ndër të tjera se kjo iniciativë demostron një dedikim të qartë për të përmirësuar funksionimin e administratës publike, në vazhdimësi dhe në mënyrë më efektive. Janë numëruar disa rezultate të prekshme, ulja e numrit të ankesave, kostot përkatëse të vlerësuara, rritje të kualitetit, teksa ankesat të cilat në fazën fillestare ishin rreth 30-40%, tashmë kanë rënë në 9%. Në këto kushte, proçesi është totalisht i digjitalizuar, i lehtë, i aksesueshëm, transparent, përgjatë gjithë fazave të tij. Është një rast i shkëlqyer që rrit besimin në një fushë të veçantë qeveritare siç është prokurimi publik.