Ndihma për fermerët në këtë kohë krize është parashikuar nga qeveria. Fermerëve do u jepet naftë pa taksa për të përballuar krizën. Kryeministri Rama në një postim në Facebook shkroi se brenda shtatorit do të jepen edhe 9000 karta për fermerë të tjerë përfitues të kësaj skeme në ndihmë të qytetarëve.
‘MIRËMËNGJES
dhe lajmin e mirë se mbështetja vijon për fermerët me naftën FALAS, ku deri më sot janë shpërndarë kartat për 27,000 fermerë dhe brenda shtatorit do mbështeten edhe 9,000 fermerë të tjerë, ju uroj një ditë të mbarë.’- shkroi Rama.
Nafta për prodhim bujqësor nuk do të shpërndahet nga pikat e karburanteve, por do të mund të merret tek operatorët furnizues të kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë. Në këto pika fermerët paraqiten me kartën individuale, në të cilën është hedhur sasia e naftës që ka të drejtë të tërheqë fermeri përkatës.
Sipas vendimit dhënia e karburantit me çmim të reduktuar do të monitorohet nga Ministria e Bujqësisë e cila do të ngrejë një njësi të posaçme për të garantuar zbatimin, monitorimin dhe koordinimin e të gjithë procesit që lidhet me skemën e mbështetjes së naftës për bujqësinë. Po ashtu do të ngrihet sistemi i menaxhimit të informacionit që do menaxhojë aplikimet online me vetëdeklarimin e fermerit, sipërfaqen e tokës së deklaruar dhe kulturën që do mbjellë.
Si dhe do të menaxhojë shpërndarjen e kartave individuale të naftës te subjektet përfituese, si dhe gjurmimin e tërheqjeve të naftës prej tyre. Ndërsa kontrolli në terren për përdorimin e naftës do të bëhet nga AZHBR-ja.
Të gjithë ata fermerë që abuzojnë me 20% të sasisë së naftës së përfituar do të përjashtohen nga skema për 3 vite. Ky lehtësim për fermerët do ti kushtojë buxhetit të shtetit 1 miliardë lekë, edhe pse synimi i qeverisë është fuqizimi i tyre dhe rritja e prodhimit.