Irani ka dërguar një përgjigje të shkruar më 2 shtator lidhur me propozimet amerikane që kanë për synim të ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, edhe pse Uashingtoni ka ngritur dyshime për ofertën e Teheranit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, tha përmes një deklarate se “teksti i dërguar [nga Irani] ka një qasje konstruktive që ka për synim finalizimin e negociatave”, tha ai duke mos dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e tekstit.

Media shtetërore iraniane tha se përgjigjen Teherani ia ka dërguar shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që ka koordinuar negociatat. Pas 16 muajsh të bisedimeve indirekte midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Borrell tha në gusht se BE-ja ka paraqitur një ofertë finale për të tejkaluar mospajtimet sa i përket ringjalljes së marrëveshjes bërthamore që Teherani arriti më 2015 me fuqitë botërore.

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se ka pranuar përgjigjen e Iranit përmes BE-së.

“Ne po e studiojmë atë dhe do të përgjigjemi përmes BE-së, por fatkeqësisht nuk është konstruktive”, tha Departamenti amerikan i Shtetit, duke mos dhënë detaje për përmbajtjen e përgjigjes së Iranit.

BE-ja ka shërbyer si ndërmjetësuese në bisedimet indirekte pasi, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshje më 2018.

Sipas marrëveshjes, Irani kufizoi pasurimin e uraniumit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Megjithatë, pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja Irani ka nisur të shkelë paktin, duke pasuruar uraniumin përtej niveleve të lejuara. Irani insiston se nuk ka për qëllim të zhvillojë armë bërthamore. Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, tha gjatë kësaj jave se Teherani do garanci të forta nga Uashingtoni për ringjalljen e marrëveshjes.