Nesër do të mbahet funerali i Mbretëreshës Elizabeth II, ndërsa udhëheqësit botërorë po mbërrijnë në Londër. Në funeral pritet të marrin pjesë rreth 500 krerë shtetesh dhe personalitete të huaj. Gjatë natës ka mbërritur në Britaninë e Madhe edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Funerali i Mbretëreshës do të shfaqet në parqe, sheshe dhe kinema në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Radhët e gjata të qytetarëve për të bërë homazhe vijojnë ende.
Mbrëmë, tetë nipërit dhe mbesat e mbretëreshës kanë qëndruar për 15 minuta pranë arkivolit ku shtrihet gjyshja e tyre, mbretëresha Elizabeth, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Me kërkesë të mbretit, të dy princat William dhe Harry veshën uniformën ushtarake.
Arkivoli me trupin e pajetë të mbretëreshës ndodhet në Westminster Hall, në Pallatin e Westminsterit, ku do të qëndrojë deri në mëngjesin e funeralit, të hënën e 19 shtatorit. Arkivoli i mbyllur po ruhet në një vigjilje të vazhdueshme nga ushtarët e njësive që i shërbejnë Shtëpisë Mbretërore.