Samiti i ‘Open Balkan’ në Beograd ka nisur ndërsa në fokus të bisedimeve do të jetë tregtia. Ky takim pritet të finalizohet me heqjen e kufizimeve për tregtinë pa kufizime të ushqimeve. Marrëveshja zhbllokon plotësisht tregtinë mes shteteve të Open Balkan, për të mos u përsëritur situata si ajo kur për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia bllokoi grurin për Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut vajin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic hapi samitin duke përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë për procesin e integrimit në BE dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Përveç tre liderëve, Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Dimitar Kovaçevski, i pranishëm është edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazovic si dhe do të mbërrijnë përfaqësues nga Hungaria dhe Turqia. Në orën 13:00 pritet konferenca për shtyp e liderëve të Ballkanit të Hapur. Që prej ditës së djeshme, Rama ndodhet në Beograd, ku u hap Panairi i Verës që është titulluar “Vizioni i Verës” që është organizuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur. 250 prodhues nga e gjitha bota marrin pjesë në Panairin 4-ditor, ndërkohë që 22 janë nga Shqipëria.