Sulmet e vazhdueshme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë janë “të papranueshme”, kështu tha të martën Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike teksa kërkoi krijimin e një zone të çmilitarizuar brenda dhe përreth objektit.
“Ne po luajmë me zjarrin dhe diçka shumë katastrofike mund të ndodh”, paralajmëroi Rafael Mariano Grossi gjatë një prezantimi virtual para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Kjo është arsyeja pse në raportin tonë kemi propozuar krijimin e një zone të mbrojtur dhe të sigurisë bërthamore në perimetrin e termocentralit.”
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike publikoi një raport më parë të martën pas misionit që ai drejtoi javën e kaluar në termocentralin bërthamor të Zaporizhias. Në të, ai dhe ekipi i tij përshkruajnë dëme të mëdha në uzinë, por ata nuk e fajësuan asnjërën palë.
Inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike gjetën trupa dhe pajisje ruse brenda termocentralit, duke përfshirë automjete ushtarake të stacionuara pranë turbinave. Ata e vlerësuan gjithashtu situatën e personelit si shqetësuese, pasi ata po punojnë “nën stres dhe presion të lartë” që, sipas tyre, mund të çojë në një gabim njerëzor gjatë operimit të termocentralit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se “duhen ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të shmangur” dëmtimin e termocentralit, duke i thënë Këshillit të Sigurimit se kjo do të “mund të shkaktonte një katastrofë” për rajonin dhe më gjerë.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy në një video-mesazh në mbrëmjen e së martës tha se Kievi do të studiojë propozimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të kuptuar se çfarë nënkupton konkretisht “mbrojtja” e uzinës.