Qeveria shqiptare ka nisur fazën e dytë të programit të 300 qendrave shëndetësore, ku 40 qendra të tjera dhe ambulanca do të rehabilitohen këtë vit në të gjithë vendin.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Qendrat Shëndetësore të rehabilituara.

Rama tha se janë drejt përfundimit qendrat shëndetësore: Gjoricë, Ambulancat Dushaj, Peladhi, Çerenec i Poshtëm dhe Gjuras në Bulqizë; qendra shëndetësore Toshkëz në Lushnjë; Ambulanca Suk në Roskovec; qendra shëndetësore Ruzhdije dhe Ambulanca Dukas në Patos; Qendra Shëndetësore Lis, Ambulanca Zenisht dhe Ambulanca Mallunxë në Mat.

Qeveria shqiptare ka përfunduar fazën e parë të Programit të Rehabilitimit të Qendrave Shëndetësore dhe Ambulancave me 300 qendra shëndetësore të rehabilituara dhe rindërtuara. Ndërkohë që ky program do të vijojë edhe këtë vit me qendra të tjera shëndetësore.

Me rehabilitimin e qendrave shëndetësore synohet që brenda katër viteve të finalizohet përmirësimi i të gjithë kujdesit parësor kudo në Shqipëri.