Hapet kantieri në Xhaminë e Plumbit në Shkodër.
Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se, pas faljes së fundit mbrëmë në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, u hap kantieri më i ri në fushën e trashëgimisë kulturore
Rama ka theksuar se Xhamia e Plumbit në Shkodër është një nga objektet pa asnjë ekzagjerim më origjinale të arkitekturës islame në botë.
Xhamia e Plumbit, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, do t’i nënshtrohet transformimit rrënjësor.
Me ndërhyrjet në këtë xhami, besimtarëve do u kthehet një tempull në kushte optimale, por Shkodrës e gjithë Shqipërisë, do i shtohet një tjetër atraksion i madh turistik.
Ndërhyrja kryesore pritet të zgjidhë problemin e përmbytjeve, krijimin e një sistemi kullimi të sigurt, pengimin e ujërave vërshuese dhe restaurimin e ndërtesës. Mjedisi përreth saj do të kthehet në një park të denjë për besimtarët e turistët.
Teknikat e ndërtimit dhe materialet e përdorura në monumentin e kulturës dhe të gjitha detajet arkitektonike origjinale nuk do të cenohen.
E ndërtuar në 1773, sipas modelit të arkitekt Sinanit, Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet pashë Bushatit, në Shkodër është një nga më të veçantat në Shqipëri.
Është një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së pare dhe xhamia osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë. Të dhënat tregojnë se xhamia u ndërtua me gurë të sjellë prej popullit me sistem zinxhir (dorë më dorë) prej Gurit të Zi, dhe me tepricat u ndërtuan këmbët e urës së Kirit.
1 vit më parë, ministrja e Kulturës nënshkroi marrëveshjen për restaurimin e xhamisë me homologun e saj turk.