Projekti i Terminalit të Gazit të Lëngshëm në Vlorë, me kompaninë amerikane Excelerate Power si partner kryesor, do e bëjë Shqipërinë sovrane në aspektin energjetik.
Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama teksa publikoi në rrjetet sociale dhe një prononcim nga përfaqësuesi i kompanisë Excelerate Power, Daniel Bustos, nga forumi energjetik i vendeve të Europës Juglindore në Selanik të Greqisë.
“Ne do ta bëjmë Shqipërinë sovrane në aspektin energjetik eksportues neto të energjisë brenda kësaj dekade, përmes një masterplani projektesh që tanimë kanë nisur dhe ndër të cilat është edhe projekti i Terminalit të Gazit të Lëngshëm në Vlorë, me kompaninë amerikane Excelerate Power si partner kryesor”, shprehet Rama.
Në prononcimin e tij drejtori ekzekutiv tregtar i kompanisë Excelerate Power, Daniel Bustos theksoi se, “është një nder për mua që të bashkohem me ministren Balluku dhe çdo vendimmarrje tjetër që po punon për sipërmarrjen energjetike në Evropën Juglindore. Jemi partner me qeverinë shqiptare për një projekt LNG të integruar që do të sjellë diversifikim, siguri energjetike dhe përballueshmëri për qytetarët shqiptar. Gjithashtu po punojmë më tej për të integruar këtë projekt me ta me qëllim furnizimin me gaz natyror të pjesës tjetër të Evropës. Ky është një projekt për të cilin kemi dy vite që punojmë dhe në situatën aktuale jemi më të angazhuar se kurrë për ta realizuar”.
Forumi energjetik i vendeve të Europës Juglindore mblodhi në Selanik të Greqisë, ministrat e vendeve të rajonit si dhe ambasadorë të SHBA-së në Ballkan.
E pranishme në këtë forum ishte edhe Zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ku gjatë diskutimit të saj vendosi theksin te nevoja e bashkëpunimit mes vendeve si dhe mbështetja e partnerëve për të përballuar të gjithë së bashku këtë krizë.