Nisi sot në Beograd panairi i parë i verës, ushqimit dhe kulturës në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur, që vjen si një fryt i bashkëpunimit të ngushtë dhe të ndërsjellët midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Panairi do zhvillohet deri ditën e diel dhe ka si synim promovimin e tre vendeve jo vetëm si destinacione turistike por edhe për ushqimin, llojet e verërave dhe kulturën ballkanike.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri Rama u shpreh se: “ Vendet tona janë gati për të qëndruar edhe shumë vite e shekuj pas nesh dhe zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë, si të qëndrojmë së bashku në këtë lagje të Europës. Në panair janë 22 prodhues të verës nga Shqipëria dhe në Shqipëri është rritur me 10% sipërfaqja e vreshtave. Sot kemi një vëllim tregtar mes tre vendeve tona nga afro 60 milionë, vetëm prodhime bujqësore, në afro 100 milionë euro, dhe potenciali është shumë herë më i madh dhe këto janë veç hapat e parë”.
Për Kryeministrin ky promovim i kulinarisë, verërave dhe kulturës së tre vendeve është një mundësi e artë për t’u prezantuar në një treg kontinental dhe për të shkëmbyer përvojat me shpërndarësit kryesorë rajonalë e europianë.
Ky event i veçantë ballkanik është një hap madhor drejt rritjes së turizmit gastronomik rajonal, i cili duhet të pasohet nga organizimi i një tjetër panairi në Shqipëri dhe vijimësia periodike e tij për të rritur promovimin e këtij nënsektori.
Përmes organizimit të këtij panairi dhe shumë të tjerëve që do të vijnë pas tij, Ballkani dhe Shqipëria në veçanti fton dhe mirëpret të gjithë ata qytetarë të botës që duan të zbulojnë nga afër thesaret e vendit e rajonit tonë.