Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ndërtimet pa leje duke thënë se prokurorët e mbyllin me para çështjen kur flitet për ndërtuesit e mëdhenj dhe i nxjerrin bojën shtetit duke u marrë me kotec. Për këtë të fundit i referohet rastit të Vlorës kur e moshuara përfundoi në gjyq për kotecin e pulave.
“Jemi ndjerë shumë herë të turpëruar për fajin e llumit në drejtësi. Llumi në drejtësi bashkë me atë në policinë e shtetit dhe atë nëpër inspektoriate e ka shumë të lehtë të çojë me ndihmën e prokurorëve të zellshëm që kur vjen puna tek ndërtuesit e mëdhenj, e mbyllin me para çështjen. Njerëz që kanë ndërtuar pa leje një mur, një gjysmë shtese në fshat dhe raste flagrante janë bërë dhe publike.
Një kotec, një avulli, dritaret e Bojken Lakos, që me të marrë me të nxjerr dhe bojën botërisht jo vetëm si individ por edhe gjithë shtetin si dhe e kanë të pamundur të veprojnë ndaj kateve pa leje në mes të Tiranës”, tha Rama.