Kryeministri Rama tha se qeveria do të ketë një plan kursimi të energjisë, por që nuk do të përfshijë masa drastike siç mund të jetë ndërprerja e energjisë. Ai theksoi se rritja me 42 lekë e çmimit për ato që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të bëhet që pesha të mos rëndojë mbi konsumatorët e tjerë që janë në gjendje më të dobët ekonomike.

“Të gjithë ekspertët ndërkombëtarë e konsiderojnë jo të arsyeshme për të mos e prekur çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Masa shkon tek ata që konsumojnë më shumë, kanë më shumë dhe përbëjnë vetëm 4% të të gjithë konsumatorëve. Ne besojmë që kjo masë është drejtë, pasi nuk kanë pse të paguajnë të tjerët për ata që kanë pishina e ndriçim. Ne do të vazhdojmë edhe me planin e kursimit por pa hyrë në masa drastike që po i marrin vend shumë më të zhvilluara se ne. Duam që të kemi ndjesinë e një fakti të thjeshtë, në këtë përpjekje të madhe jemi të gjithë bashkë. Të dalim të gjithë nga kjo krizë siç dolëm nga tërmeti e pandemia, jo më të dobët, por më të fortë”, u shpreh Rama.