Kryeministri Edi Rama ka përsëritur kërkesën ndaj të rinjve që të mos paguajnë mijëra paund për t’u larguar drejt Anglisë, por t’i investojnë ato në agroturizëm. Gjatë fjalës së tij në bilancin e sezonit turistik veror, Rama tha se të gjithë ata që duan të investojnë në agroturizëm do të kenë mbështetjen e qeverisë.
“Të gjithë ata që paguajnë nga 30 mijë paund për të marrë ato rrugët e frikshme të emigracionit, në kërkim të një parajse që nuk kanë për ta gjetur, mund të bëjnë ekonominë e tyre atje në Kukës. Këtë nuk e them bazuar në një ëndërr, por bazuar në ato që kam parë. Të gjithë ata që duan të bëjnë një agroturizëm ne jemi gati t’i mbështesim. Të gjithë ata që e kanë bërë fitojnë më shumë nga ç’do fitonin nga një punë në të bardhë apo të zezë diku tjetër”, tha Rama.