Për herë të parë në 32 vite, Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (IZHNJ), i cili vlerëson nivelin e shëndetit, arsimit dhe standardin e jetesës së një kombi, ka pësuar rënie në nivel botëror për dy vite radhazi.

Zhvillimi njerëzor ka rënë në nivelet e vitit 2016, duke kthyer mbrapsht një pjesë të madhe të progresit të bërë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ky kthim, vëren UNDP është thuajse universal, duke qenë se 90 për qind e vendeve kanë shënuar rënie të vlerës së tyre të IZHNJ-së në vitin 2020 ose në vitin 2021 dhe më shumë se 40 për qind e tyre kanë shënuar rënie në të dy vitet, duke sinjalizuar që për shumë vende kriza është ende në thellim. “Bota po zvarritet nga kriza në krizë e zënë si në çark në një cikël ‘fikjesh zjarresh’ dhe në pamundësi për të trajtuar me efikasitet ‘rrënjët e telasheve’, me të cilat përballemi. Pa një ndryshim të fortë të kursit, mund të jemi duke shkuar drejt privimeve dhe padrejtësive më të mëdha”, paralajmëron Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

RAPORTI

Raporti i fundit i Zhvillimit Njerëzor, “Kohë të Pasigurta, Jetë të Paparashikueshme: Formësimi i së Ardhmes Sonë në një Botë që Transformohet” argumenton se shtresat e pasigurisë po shtohen dhe po ndërveprojnë me njëratjetrën, duke shqetësuar jetesën në mënyra të pa precedent. Dy vitet e fundit kanë pasur një ndikim shkatërrimtar për miliarda njerëz në botë, ndërsa krizat e shkaktuara nga pandemia e COVID-19-s dhe lufta në Ukrainë pasuan njëra-tjetrën dhe ndërvepruan me ndryshimet rrënjësore shoqërore dhe ekonomike, ndryshimet e rrezikshme në planet dhe rritjen masive të polarizimit. Vlera e IZHNJ-së për Shqipërinë për vitin 2021 është 0.796 – vlerë që e vendos vendin në kategorinë e Lartë të zhvillimit njerëzor, duke e renditur atë në në vendin e 67 nga 191 vende dhe territore. Për sa i përket Indeksit të Pabarazisë Gjinore që reflekton pabarazinë me bazë gjinore në tre dimensione – shëndeti riprodhues, fuqizimi dhe tregu i punës, Shqipëria renditet e 39-ta nga 170 vende.

SITUATA

Ndërkohë që disa vende po fillojnë të rimëkëmben, kjo rimëkëmbje është e pabarabartë dhe e pjesshme, duke thelluar më tej pabarazitë në zhvillimin njerëzor. Amerika Latine, Karaibet, Afrika SubSahariane dhe Azia e Jugut janë ndikuar veçanërisht rëndë. “Bota po rreket t’i përgjigjet krizave të njëpasnjëshme. Kemi vënë re me krizat e kostos së jetesës dhe të energjisë, se megjithëse është tunduese që të përqendrohemi te zgjidhjet e shpejta, si subvencionimi i hidrokarbureve, taktikat e lehtësimit të shpejtë po vonojnë ndryshimet afatgjata sistemike që duhet të ndërmarrim”, u shpreh Achim Steiner, administrator i UNDP-së.

“Nuk jemi në gjendje kolektivisht që t’i bëjmë këto ndryshime. Në një botë të rrokur nga pasiguria, kemi nevojë për një kuptim të përtërirë të solidaritetit botëror për të trajtuar sfidat tona të përbashkëta dhe të ndërlidhura”. Raporti shqyrton se përse nuk po ndodh ndryshimi i nevojshëm dhe sugjeron se ka shumë arsye për këtë, përfshirë dhe mënyrën se si pasiguria dhe polarizimi ushqejnë njëra-tjetrën për të parandaluar solidaritetin dhe veprimin kolektiv që na nevojitet për t’i trajtuar krizat në të gjitha nivelet.

Për shembull, përllogaritjet/vlerësimet e reja tregojnë se ata që ndihen më të pasigurt kanë po ashtu gjasa të kenë këndvështrime politike ekstreme. Për përcaktimin e një kursi të ri, raporti rekomandon zbatimin e politikave që përqendrohen tek investimet nga energjia e rinovueshme te përgatitja për pandemitë si dhe sigurimet – përfshirë mbrojtjen sociale me qëllim përgatitjen e shoqërive tona për uljet dhe ngritjet e një bote të pasigurt. Ndërkohë, novatorizmi me format e veta të shumta, si ai teknologjik, ekonomik dhe kulturor mund të krijojë gjithashtu kapacitetet për t’iu përgjigjur çdo sfide që do të hasim në të ardhmen.

“Për të naviguar pasigurinë, ne duhet të forcojmë angazhimin ndaj zhvillimit njerëzor dhe të shohim përtej përmirësimit të kamjes apo shëndetit të njerëzve”, thotë Pedro Conceição nga UNDP-ja, autori kryesor i raportit. “Këto mbeten të të rëndësishme. Por, ne gjithashtu duhet të mbrojmë planetin dhe t’u sigurojmë njerëzve instrumentet që u nevojiten për t’u ndjerë më të sigurt, për të rifituar kontrollin mbi jetët e tyre dhe për të pasur shpresë për të ardhmen”.