Pas 70 vitesh në fron, Mbretëresha Elizabeth II ishte bërë një pjesë thelbësore e jetës së përditshme të britanikëve.

Portreti, profili dhe stema e saj është parë në letra, pra çfarë do të jetë ndryshe tani?

Të gjitha do ndryshojnë nga kartmonedhat e monedhat

29 miliardë monedhat në qarkullim në Mbretërinë e Bashkuar kanë portretin e Mbretëreshës. Dizajni më i fundit daton nga viti 2015, kur ajo ishte 88 vjeç. Ishte portreti i pestë i monedhës i krijuar gjatë mbretërimit të saj.

Kompania Royal Mint nuk do të thotë se si dhe kur do të fillojë emetimi i monedhave me portretin e mbretit Charles III, por ka të ngjarë që monedhat e Mbretëreshës të mbeten në qarkullim për shumë vite dhe se procesi për t’i zëvendësuar ato do të jetë gradual.

Përpara se të gjitha monedhat britanike të përditësoheshin në vitin 1971, ishte krejt normale t’i gjeje me disa monarkë të ndryshëm.

Ndërsa nuk dihet ende si do të duket portreti i monedhës së mbretit, një monedhë e lëshuar në 2018 nga Royal Mint në ditëlindjen e tij të 70-të na dha një sugjerim.

Një gjë e sigurt është se ai do të shfaqet në anën tjetër të profilit, atë të majtë.

Tradita dikton që profili me të cilin do shfaqet monarku në monedha duhet të alternohet për çdo monark të ri.

Pasi të nënshkruhet nga qeveria, dizajnet e reja do të prodhohen në Royal Mint në Llantrisant, në Uellsin jugor.

Mbretëresha është shfaqur në të gjitha kartëmonedhat e Bankës së Anglisë që nga viti 1960.

Ka rreth 4.5 miliardë kartëmonedha individuale të Bankës së Anglisë me vlerë rreth 80 miliardë paund në qarkullim për momentin dhe këto do të hiqen gradualisht.

Pulla dhe kuti postare

Që nga viti 1967, të gjitha pullat e lëshuara nga Royal Mail kanë paraqitur një siluetë të stampuar të profilit anësor të Mbretëreshës Elizabeth II.

Royal Mail tani do të ndalojë prodhimin e pullave të Mbretëreshës Elizabeth II, megjithëse ato mund të përdoren ende në letra dhe paketa, dhe do të fillojë procesin për të krijuar të reja.

Mbreti i ri është paraqitur në pulla më parë, por Royal Mail nuk do të thotë ende se si do të duken modelet e reja me të.

Përveç vendosjes së monarkut në pulla, Posta Mbretërore vendos kodet mbretërore në shumë kuti postare.

Më shumë se 60% e 115,000 kutive postare në MB mbajnë shenjën EIIR të Mbretëreshës Elizabeth II – E për Elizabeth dhe R për Regina, që do të thotë mbretëreshë. Në Skoci, ata shfaqin kurorën skoceze.

Jashtë Skocisë, çdo kuti postare e re tani do të shfaqë kodin e Mbretit.

Pasaportat janë ende të vlefshme

Të gjitha pasaportat britanike lëshohen në emër të Madhërisë së Saj dhe janë ende të vlefshme për udhëtime, por për pasaportat e reja, formulimi në pjesën e brendshme të kopertinës do të përditësohet në Madhërinë e Tij.

Forcat e policisë në Angli dhe Uells do të duhet të ndryshojnë shifrën mbretërore të Mbretëreshës Elizabeth II në qendër të pllakave të helmetës së tyre. Avokatët që janë emëruar nga monarku për të qenë këshilltarë të Mbretëreshës do të njihen tani si Këshilltarët e Mbretit me efekt të menjëhershëm.

Dhe së fundi, himni kombëtar do të ndryshojë fjalët “Zot ruaj Mbretëreshën”.

Pasi Charles të shpallet zyrtarisht Mbret në një ceremoni zyrtare, një njoftim publik do të bëhet nga ballkoni në Pallatin e St James, duke përfshirë thirrjen: “Zot ruaj Mbretin”.

Himni kombëtar do të luhet më pas me këto fjalë të kënduara për herë të parë që nga viti 1952.