Bota është në pragun e një katastrofe bërthamore, dhe kryesisht për shkak të dështimit të udhëheqësit politikëbërës perëndimor për të qenë të sinqertë në lidhje me shkaqet e konflikteve globale në rritje. Narrativa perëndimore se Perëndimi është fisnik ndërsa Rusia dhe Kina janë të liga, është mendjelehtë dhe tejet e rrezikshme.

Ajo përfaqëson një përpjekje për të manipuluar opinionin publik, dhe për të mos u marrë me çështjet reale dhe që janë vërtet emergjente. Narrativa thelbësore e Perëndimit është ndërtuar tek strategjia e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Ideja thelbësore e SHBA-së është se Kina dhe Rusia janë armiq të paepur që “po përpiqen të shkatërrojnë sigurinë dhe prosperitetin amerikan”.

Sipas Uashingtonit Këto vende janë “të vendosura që t’i bëjnë ekonomitë më pak të lira dhe më pak të drejta, për të forcuar ushtritë e tyre, kontrolluar informacionin dhe të dhënat me synim shtypjen e shoqërive të tyre dhe për të zgjeruar ndikimin e tyre”.

Ironia është se që nga viti 1980, SHBA është përfshirë në të paktën 15 luftëra të zgjedhura prej saj jashtë shtetit (Afganistani, Iraku, Libia, Panamaja, Serbia, Siria dhe Jemeni sa për të përmendur disa). Ndërkohë, Kina nuk ka qenë e përfshirë në asnjë luftë, dhe Rusia vetëm në një (Afganistanit) përtej ish-Bashkimit Sovjetik.

SHBA-ja ka sot baza ushtarake në 85 vende, Kina në 3 dhe Rusia një në (Siri). Presidenti Xho Bajden e ka promovuar këtë narrativë, duke deklaruar se sfida më e madhe e kohës sonë është konkurrenca me autokracitë, që “kërkojnë të zgjerojnë fuqitë e tyre, të eksportojnë dhe zgjerojnë ndikimin e tyre në mbarë botën, dhe të justifikojnë politikat dhe praktikat e tyre represive si mënyrë më efikase për të adresuar sfidat e sotme”.

Strategjia e sigurisë e SHBA-së, nuk është vepër e ndonjë presidenti të caktuar të SHBA-së, por e establishmentit të sigurisë, i cili është kryesisht i pavarur dhe vepron në prapaskenë. Frika e ekzagjeruar ndaj Kinës dhe Rusisë, po i shitet publikut perëndimor përmes manipulimit të fakteve.

Një brez më parë Xhorxh W.Bush, Jr i shiti publikut idenë se kërcënimi më i madh i Amerikës ishte fundamentalizmi islamik, pa përmendur faktin se ishte CIA, në bashkëpunim me Arabinë Saudite dhe vende të tjera, ato që kishin krijuar, financuar dhe dislokuar xhihadistët në Afganistan, Siria dhe gjetkë për të zhvilluar luftërat e Amerikës.

Ose marrim rastin e pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1980, që u paraqit në mediat perëndimore si një akt agresioni i paprovokuar. Vite më vonë, ne mësuam se pushtimit sovjetik i parapriu në fakt një operacion i CIA-s, që synonte të provokonte pushtimin sovjetik!

I njëjti keqinformim ka ndodhur edhe për Sirinë. Media perëndimore është plot me akuza kundër ndihmës ushtarake të Vladimir Putin ndaj liderit sirian Bashar Al-Asad që nga viti 2015, pa përmendur ama faktin se ishte SHBA-ja ajo që e mbështeti përmbysjen e al-Assad-it duke filluar nga viti 2011, me financimin nga CIA-s të një operacioni të madh (Timber Sycamore) para se në këtë konflikt të ndërhynte Rusia.

Ose kohët e fundit, kur kryetarja e Kongresit Amerikan, Nensi Pelozi vizitoi në mënyrë të pamatur Tajvanin, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës, asnjë ministër i jashtëm i G7-ës nuk kritikoi provokimin e Pelozit. Nga ana tjetër ministrat e G7 kritikuan së bashku “reagimin e tepruar” të Kinës ndaj vizitës së Pelozit.

Narrativa perëndimore në lidhje me Luftën në Ukrainë, është se ajo është një sulm i paprovokuar nga Putini në një përpjekje për të rikrijuar perandorinë ruse. Megjithatë, historia e vërtetë fillon me premtimin perëndimor ndaj presidentit të ndjerë sovjetik Mikail Gorbaçov se NATO nuk do të zgjerohej në Lindje, i pasuar nga 4 valë të zgjerimit të NATO-s: në vitin 1999, duke përfshirë 3 vende të Europës Qendrore; në vitin 2004, duke përfshirë 7 të tjera, përfshirë ato në Detin e Zi dhe shtetet Baltike; në vitin 2008, duke u angazhuar për zgjerimin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë; dhe në vitin 2022, duke ftuar 4 vende kryesore të Azi-Paqësorit për të vënë nën shënjestër Kinën.

Mediat perëndimore nuk e përmendin rolin e SHBA-së në përmbysjen e presidentit prorus të Ukrainës, Viktor Janukoviç, në vitin 2014; dështimin e qeverive të Francës dhe Gjermanisë, si garantuese të Marrëveshjes Minsk II, për ti bërë presion Ukrainës për të përmbushur angazhimet e saj; armatimet e shumta amerikane të dërguara në Ukrainë gjatë administratave të Trump dhe Biden në prag të luftës; dhe as refuzimi i SHBA-së për të negociuar me Putinin në lindje me zgjerimin e NATO-s në Ukrainë.

Natyrisht, NATO thotë se aleanca është thjesht mbrojtëse, ndaj Putin nuk duhet të ketë asnjë arsye për t’u frikësuar. Pra Putin nuk duhet t’i kushtojë vëmendje operacioneve të CIA-s në Afganistan dhe Siri, përmbysjes nga NATO të Muamar Gadafit në Libi në vitin 2011, pushtimit të Afganistanit për 15 vjet, dhe as thirrjeve të Bajden për rrëzimin e Putinit, dhe as deklaratave të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloid Ostin që deklaroi se qëllimi i luftës së SHBA-së në Ukrainë është dobësimi i Rusisë.

Në thelbin e gjithë kësaj është përpjekja e SHBA-së për të mbetur fuqia hegjemoniste e botës, duke i shtuar aleancat ushtarake në mbarë botën, për të kontrolluar ose mposhtur Kinën dhe Rusinë. Dhe kjo është një ide e rrezikshme, delirante dhe e vjetëruar.

SHBA-ja ka vetëm 4.2 për qind të popullsisë botërore, dhe tani vetëm 16 për qind të PBB-së botërore. Në fakt, PBB-ja e përbashkët e vendeve të G7-ës është sot më e vogël se ajo e BRICS (Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut). Ndërkaq, popullsia e G7 është vetëm 6 për qind e asaj globale, krahasuar me 41 për qind të BRICS.

SHBA-ja duhet të njohë realisht burimet e vërteta të sigurisë: kohezionin e brendshëm social dhe bashkëpunimin e përgjegjshëm me pjesën tjetër të botës, dhe jo iluzionin e hegjemonisë. Me një politikë të jashtme të tillë të rishikuar, SHBA dhe aleatët e saj do të shmangnin luftën me Kinën dhe Rusinë, dhe do t’i jepnin mundësi botës që të përballet me krizat e shumta mjedisore, energjitike, ushqimore dhe sociale.

Mbi të gjitha, në këtë kohëra të një rreziku ekstrem, udhëheqësit evropianë duhet të fokusohen te burimi i vërtetë i sigurisë europiane: jo hegjemonia e SHBA-së, por marrëveshjet europiane të sigurisë që respektojnë interesat legjitime të sigurisë të të gjitha kombeve europiane, sigurisht duke përfshirë Ukrainën, por edhe Rusinë, e cila vazhdon t’u rezistojë zgjerimeve të NATO-s në Detin e Zi.

Europa duhet të reflektojë edhe për faktin se moszgjerimi i NATO-s dhe zbatimi i Marrëveshjeve Minsk II, do ta kishte shmangur këtë luftë të tmerrshme në Ukrainë. Në këtë fazë, diplomacia, dhe jo përshkallëzimi ushtarak, është rruga e vërtetë drejt sigurisë europiane dhe globale./ Përkthyer nga CNA.al

Nga Jeffrey D.Sachs, profesor në Universitetin e Kolumbias, SHBA, dhe president i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm në OKB.