Të paktën 23 persona janë vrarë dhe 28 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me raketë ruse që ka goditur një konvoj me makina civile afër qytetit ukrainas Zaporizhja, ka thënë guvernatori rajonal, Oleksandr Starukh. “Deri më tani, 23 të vdekur, 28 të plagosur. Të gjithë civilë”, ka shkruar Starukh në platformën Telgram.
Ai ka publikuar fotografi të makinave të djegura dhe trupave të shtrirë nëpër rrugë. Starukh ka thënë se ekipet e shpëtimit janë në zonën e sulmit. Sipas tij, konvoji ka qenë në rrugë për në territorin e pushtuar nga Rusia, meqë vozitësit kanë dashur të marrin familjarët e tyre dhe t’i dërgojnë në vende të sigurta. Rusia nuk e ka komentuar këtë sulm, i cili ka ndodhur në ditën kur Moska po përgatit për të aneksuar katër rajone ukrainase, përfshirë Zaporizhjan.
Ky vendim pason referendumet e rreme që kanë mbajtur zyrtarë të instaluar nga Rusia në katër rajonet ukrainase – Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – të cilat janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL