Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur Shqipërinë në vendin e katërt në botë për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit në 5 muajt e parë të vitit 2022. Ka qenë ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro e cila ka publikuar shifrat sa i përket flukseve ndërkombëtare në krahasim me të njëjtën periudhë të një të një viti më parë.
“Mirëmëngjes me lajmet e mira që sjell Organizata Botërore e Turizmit, e cila e rendit Shqipërinë të katërtën në botë për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit përsa i përket flukseve ndërkombëtare në 5 muajt e parë të vitit 2022”, shkruan Kumbaro.
Referuar shifrave të raportuara më herë, turizmi shqiptar ia doli të mposhte goditjen që mori nga pandemia COVID-19. Nga janari në korrik, në Shqipëri kanë hyrë 3.9 milionë shtetas të huaj, duke u rritur me 39% në raport me vitin 2021 dhe janë trefishuar në raport me 7 mujorin e vitit 2020. Kjo është përkthyer edhe më shumë fitime për bizneset. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, qarkullimi ekonomik i bizneseve të Hoteleri-Turizmit është rritur më 23% gjatë periudhës maj-qershor referuar deklaratave të TVSH-së, krahasuar me një vit më parë, ndërsa në korrik aktiviteti u rrit me 25%. Ndikim në rritjen e të ardhurave të TVSH-së ka padyshim edhe rritja e çmimeve, pasi ky sezon është shoqëruar me denoncime jo vetëm nga qytetarët por edhe nga qeveria për çmime abuzive kryesisht në jug.