Një dokument i ri për politikat ushqimore po diskutohet nga ekspertë të fushës. Drafti synon transformimin e bujqësisë, kontrolle më të forta në treg dhe masa të shpejta në raste epidemish.

Ndryshimet imponohen nga politikat e Bashkimit Europian.

Hapja e negociatave me Bashkimin Europian po ndryshon rregullat në Shqipëri. Një prej tyre lidhet me sigurinë ushqimore, ku kërkohet një qasje më strikte për kontrollin dhe hedhjen në treg të produkteve.

Kërkesat janë parashtruar në një dokument që po konsultohet nga ekspertë të fushës.

Transformimi i sektorit bujqësor është pika e parë, e cila kërkon një plan konkret bashkëpunimi të institucioneve shtetërore dhe agrobiznesit.

Sipas draftit, do të bëhet ligj që organet të cilat, kanë detyrim garantimin e sigurisë ushqimore, të kenë plane kontigjencash për menaxhimin e krizave në rast të sëmundjeve që do të bien tek kafshët a bimët.

Po ashtu, synohet që konsumatori të mbrohet dhe të njihet me produktet e tregut dhe të ndërgjegjësohet për zgjedhjet që bën përmes kanaleve të besueshme informative.

Drafti me titull “Politika Kombëtare Shqiptare për sigurinë agro-ushqimore” është në konsultim për 20 ditë.