Asnjë sistem kibernetik ushtarak nuk është prekur nga asnjë sulm kibernetik i bërë deri më tani në vend. lajmin e dha sot ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndërkohë që bëri me dije se një projekt 24 milionë dollarësh është na zbatim për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Shqipërisë. Ai tha se Shqipëria do ta fitojë këtë luftë.
“Sistemet tona kibernetike ushtarake nuk janë prekur në asnjë sulm. Janë autonome dhe më të mbrojtura. Sa i përket planeve dhe projekteve për mbrojtje më të madhe jemi në zbatim të një projekti shumë të madh me vlerë 24 mln dollarë që synon ngritjen e departamentit të sigurisë kibernetike ushtarake, do të trajnohet edhe personeli. Po ecim paralel, me infrastrukturën, hardëare, softëare por edhe kapacitetet njerëzore. Do të ofrojmë edhe paga më të mira sesa tregu privat për disa profesione shumë të kërkuara”, tha ministri i cili nënvizioi se shumë pranë Shqipërisë në këtë luftë janë aleatë e NATO dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sa i përket ndonjë rreziku fizik për vendin, ministri Peleshi tha se nuk ka ndonjë rrezik për cenim sovraniteti, jemi anëtar të NATO-s.
“Por duhet thënë se jetojmë në Ballkanin perëndimor, që është fronti i dytë më i brishtë i cenimit të stabilitetit”, tha ministri.
Kjo deklaratë e ministrit vjen pasi sistemi TIMS në vendin tonë u bë pre e një sulmi kibernetik nga qeveria e Iranit të premten në mbrëmje, duke shkaktuar radhë në të gjitha pikat kufitare në vend. Pas pak më shumë se 24 orësh ndërprerje sistemi TIMS u rikthye në normalitet në të gjitha pikat kufitare.
Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë. Herën e parë, në korrik të këtij viti goditi shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara, Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Nisur nga provat e pakundërshtueshme, siç vetë Rama e bëri të ditur, Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike.