Ndërsa kriza globale e energjisë po vazhdon të dëmtojë familjet, bizneset dhe ekonomitë në mbarë botën, është e rëndësishme të ndajmë faktet nga trillimet. Këto kohë dëgjoj shpesh 3 narrativa në lidhje me situatën aktuale, të cilat mendoj se janë të gabuara, dhe në disa raste edhe të rrezikshme.
E para është se Moska po e fiton betejën energjitike. Rusia është padyshim një furnizuese e madhe e energjisë, dhe rritjet e çmimeve të naftës dhe gazit të shkaktuara nga pushtimi i saj në Ukrainë, kanë shkaktuar për momentin një rritje të të ardhurave të saj nga energjia. Por fitimet e saj afatshkurtra, do të zhbëhen më vonë nga humbja e besimit dhe e tregjeve me të cilat do të përballet Moska për shumë vite në vijim. Ajo po i bën vetes një dëm afatgjatë duke u armiqësuar me BE-në, klienten e saj më të madhe deri tani, dhe një partnere strategjike.
Edhe vendi i Rusisë në sistemin energjetik ndërkombëtar po ndryshon rrënjësisht, dhe jo në avantazhin e saj. Ndërkohë, kjo narrativë shpërfill ndikimet e rëndësishme afatmesme të sanksioneve më të ashpra ndërkombëtare që janë vendosur ndaj sektorin e naftës dhe gaz rus. Kjo ka të bëjë veçanërisht me aftësinë e Rusisë për të prodhuar naftë dhe gaz. Një pjesë në rritje e prodhimit rus të naftës, parashikohej të vinte nga fushat naftëmbajtëse më komplekse, duke përfshirë në det të hapur, Arktik apo burime të tjera që janë të vështira për t’u shfrytëzuar.
Mungesa e kompanive, teknologjive dhe ofruesve të shërbimeve perëndimore si rezultat i sanksioneve, paraqet rreziqe thelbësore për kapacitetin e vendit për t’i shfrytëzuar këto burime. Rusia po e përdorte gazin natyror të lëngshëm (LNG) si mënyrën kryesore për të diversifikuar eksportet e saj larg një varësie të madhe nga Evropa.
Përpara pushtimit të Ukrainës, qëllimi i deklaruar i Rusisë ishte të eksportonte 120-140 milion ton LNG në vit deri në vitin 2035, duke e 4-fishuar nivelin e saj aktual. Por pa partnerë dhe teknologjinë ndërkombëtare, kjo duket si një perspektivë e largët. Teknologjia e prodhimit të LNG në vend, është e prekur nga vështirësitë dhe vonesat. Planet e zgjerimit të LNG në Rusi janë rikthyer në fokus.
Gabimi i dytë, është se kriza e sotme globale e energjisë, është një krizë e energjisë së pastër. Edhe ky është një pretendim absurd. Unë bisedoj gjatë gjithë kohës me politikë–bërësit nëfushën e energjisë, dhe asnjëri prej tyre nuk ankohet se po mbështetet shumë tek energjia e pastër.
Përkundrazi, ata dëshirojnë të kenë më shumë nga kjo lloj energjie. Ata janë të penduar pse nuk lëvizin më shpejt për të ndërtuar impiante diellore dhe ato me erë, për të përmirësuar efikasitetin energjetik të godinave dhe automjeteve, apo për të rritur jetëgjatësinë e centraleve bërthamore.
Më shumë energji me pak karbon që çlirohet në atmosferë do të kishte ndihmuar në zbutjen e krizës, dhe një kalim më i shpejtë nga lëndët djegëse fosile drejt energjisë së pastër, është mënyra më të mirë për të dalë nga ajo. Kur njerëzit fajësojnë gabimisht për krizën e sotme energjetike energjinë e pastër dhe politikat që adresojnë krizën e klimës, ato e largojnë, qëllimisht ose jo, vëmendjen nga fajtorët e vërtetë që janë kriza e furnizimit me gaz dhe Rusia.
Ideja e tretë e gabuar, është se kriza e sotme energjetike, përbën një pengesë e madhe, e cilado të na pengojë të adresojmë problemin e ndryshimeve klimatike. Por unë nuk jam dakord me të. Kriza aktuale, është një kujtesë e fortë e paqëndrueshmërisë së sistemit aktual të energjisë, që dominohet nga lëndët djegëse fosile.
Ne kemi mundësinë që ta bëjmë këtë moment, një pikë kthese historike drejt një sistemi energjitik më të pastër, më të përballueshëm në aspektin financiar dhe më të sigurt. Dhe
kjo gjë po ndodh tashmë. BE-ja po i zgjeron objektivat e saj në lidhje me burimet e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë, dhe po përdor burime të rëndësishme financiare për t’i arritur ato nëpërmjet planit të saj REPowerEU.
Qeveria e SHBA-së sapo miratoi Aktin e Reduktimit të Inflacionit, duke i dhënë një nxitje të re një sërë teknologjive të energjisë së pastër, nga makinat elektrike, energjia e erës dhe ajodiellore, deri tek kapja e karbonit dhe hidrogjenit që gjenden në atmosferë.
Akti parashikon 370 miliardë dollarë investime për sigurinë energjitike dhe ndryshimet klimatike, me potencialin e mobilizimit të shumave edhe më të mëdha nga ana e sektorit privat. Përmes planit të saj të transformimit të gjelbër, GX, qeveria japoneze po synon të rifillojë të ndërtojë më shumë centrale bërthamore, dhe të zgjerojë teknologjitë e tjera jetike që kanë emetime të pakta ndotëse në atmosferë.
Kina po vazhdon që të thyejë rekorde në sasinë e burimeve të rinovueshme dhe të automjeteve elektrike që prodhon çdo vit. Dhe India sapo ka hedhur një hap thelbësor drejt krijimit të një tregu të pakësimit të karbonit, dhe rritjes së efikasitetit energjetik të godinave dhe pajisjeve.
Ekonomitë më të mëdha në botë, po përpiqen të ecin më shpejt drejt energjisë së pastër. Dhe për shkak të teknologjive të disponueshme dhe shumë konkurruese të energjisë së pastër, ka arsye të mira për të qenë optimist që edhe të tjerët do ta ndjekin këtë shembull.
Prandaj, mos u besoni që të gjitha narrativave negative në lidhje me krizën energjetike. Ështëe vërtetë: përpara na presin disa sfida të vështira, sidomos këtë dimër. Por kjo s’do të thotë se po fiton Rusia, apo se përpjekjet për të adresuar ndryshimet klimatike janë të dënuara tëdështojnë.
Dhe pas dimrit vjen pranvera. Kriza e çmimeve të naftës e viteve 1970, solli një përparim të madh në përdorimin efikas të energjisë, energjisë bërthamore, diellore dhe të erës. Kriza e sotme mund të ketë një ndikim të ngjashëm, dhe të ndihmojë në përshpejtimin e kalimit drejt një të ardhmeje me një energji më të pastër dhe më të sigurt.
Shënim: Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.