Tirana është kthyer në një “magnet” për tërheqjen e turistëve të huaj, të cilët e gjejnë qytetin mjaft atraktiv dhe të ndryshuar, krahasuar me disa vite më parë.
Investimet në kryeqytet, si dhe pasuritë kulturore po tërheqin gjithmonë e më shumë turistët e huaj.
Në sheshin “Skënderbej” në një ditë normale mund të gjesh me qindra turistë të huaj të kombësive të ndryshme, ku Piramida, Muzeu Historik Kombëtar, Kulla e Sahatit, Bunk’Art, etj, janë disa prej vendeve të tjera që ngjallin kureshtje për ta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinione nga disa turistë të huaj, që kanë zgjedhur të vizitojnë kryeqytetin shqiptar këtë fillim shtatori.
Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë është po ashtu një ftesë e hapur edhe për të rinjtë nga të gjitha vendet e botës. Vendet nga të cilat vijnë janë të ndryshme, madje kohët e fundit harta është zgjeruar më tej.
“Herën e fundit që isha këtu, kishte rrugë në këtë zonë këtu, por tashmë është kthyer e gjitha në pedonale që është shumë e këndshme ta vizitosh”, tha një i huaj.
“Më pëlqen kjo qendër është e bukur”, u shpreh një tjetër.
“Është vend i këndshëm. Kohë e shkurtër por është shumë qytet interesant”, shprehen të tjerë të rinj që kanë zgjedhur të vizitojnë kryeqytetin.
“Ne na pëlqen Tirana. Ishim për pushime këtu për disa ditë dhe kaluam kohë shumë të bukur. Ua sugjerojmë edhe shokëve tanë që të vizitojnë Tiranën. Tirana ka edhe çmime të mira”, tha një tjetër vizitor.
Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Turizmit, Tirana sot është në vendin e dytë, pas Antalias, me rritjen më të madhe të turizmit, e ndjekur nga Mykonos.