Piramida e Tiranës do të hapet këtë pranverë. Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një intervistë në Klan News ku deklaroi se Piramida do të jetë qendra më e madhe digjitale në Ballkan. “Besoj që kemi edhe 6 muaj punë. Nëse vazhdon na mban koha, unë besoj që s’duhet të kemi asnjë problem, që në pranverë, ne të kemi hapjen e Piramidës. Jam shumë entuziast nga mënyra se si kanë shkuar gjërat, sigurisht kemi pasur disa pengesa.

Projekti është unik. Edhe vetë forma e Piramidës, por edhe fakti që duhet të ruanim një pjesë të strukturës, sigurisht që e bën projektin shumë të imët, për t’u punuar dhe sigurisht që nuk na ndihmoi fakti që me luftën që filloi në 24 shkurt, bursa e çelikut, e hekurit, aluminit, xhamit, e çimentos, betonit ndryshoi në mënyrë drastike. Por tashmë i kemi zgjidhur. Kështu që kemi futur në marsh të pestë të gjithë brigadat aty, për t’u siguruar që ne i japim Tiranës qendrën më të madhe dixhitale në Ballkan”, theksoi Veliaj. Ai bëri të ditur se hapja e Piramidës do të bëjë që numri i të rinjve të regjistruar te shkolla e kodimit TUMO të shkojë nga 1 mijë që është aktualisht, në 5 mijë.

Kreu i Bashkisë deklaroi se falë punës që është bërë në këto vite, Tirana ka jo vetëm 40 shkolla të reja, por dhe infrastrukturë dhe shërbime më të mira. “Sot jam krenar për disa punë të mira që ne kemi bërë. Unë jam shumë krenar që i kemi dhënë Tiranës 40 shkolla dhe nuk kam me kë ta krahasoj se administrata përpara nuk ndërtoi asnjë shkollë. 40 me 0, unë them që është një rezultat i mirë. A është i mjaftueshëm? Absolutisht jo!

Kjo është arsyeja pse do hapim edhe 10 të tjera vitin tjetër, për t’u siguruar që Tirana njëherë e mirë mbyll këtë historinë me dy turne, por edhe planifikon një Tiranë që sipas ritmeve po rritet me 30 mijë persona në vit. Tirana është një qytet që ka ngarkesë, që ka trafik por që ka edhe rrogat më të mira, po që ka edhe art e kulturë, që ka edhe katoi javët ndërkombëtare, po që është edhe Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Sot në Tiranë jetojnë 25 mijë italianë. Për sa kohë që ky është trendi, ne na duhet të punojmë përditë për një Tiranë që vetëm do zmadhohet dhe zgjerohet dhe me shumë gjasë do kthehet epiqendra e të gjithë shqiptarëve të Ballkanit”, nënvizoi kreu i Bashkisë së Tiranës.