Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi vizituan në ditën e parë të vitit të ri arsimor shkollën e re, “Sami Frashëri”, të rindërtuar pas tërmetit, në Tiranë.
Veliaj, i cili rikthehet në ish-shkollën e tij, tha se ajo ka vendosur një standard të ri në infrastrukturën arsimore në vendin tonë.
Në një prej klasave, Kryebashkiaku ritakoi edhe një prej mësueseve të tij, në kohën kur mësonte në bankat e kësaj shkolle, zysh Odetën.
Pjesë nga biseda me mësuesen:
Veliaj: Hera e parë që shoh që ka vend nëpër klasa. Ishim 3 veta në bankë dhe përsëri s’kishte vend.
Mësuesja: Ishim 42 veta në klasë.
Një mësuese tjetër: Edhe 56.
Veliaj: Po bënim shaka me ministren, duket si hotel me 5 yje. Ju duhen 2-3 javë të zbuloni ku janë gjërat se është ambient kaq i madh.
Kushi: Sa mirë që kemi dhe programet e artit e të zejeve, që të rrinë më gjatë në shkollë, jo vetëm sa është orari mësimor.
Veliaj: Jam i sigurt që do na nderoni se vërtet vendi ka shumë nevojë, – më thonë “ja se është edhe kjo rruga për t’u investuar”, – se asgjë nuk është perfekte, por kur dilni ju mirë, apo kur po dëgjoja që bashkëmoshatarja juaj kishte fituar në të 10 degët, thua ia vlejti edhe sherri, edhe debati per shkollen, se ndonjëherë pa debate e sherre nuk bëhen punët, e kur mendoj se hoqëm picirin për ta bërë këtë shkollë, se u përfshi edhe politika, i vetmi shpërblim është të dilni ju mirë. Po dolët ju mirë, pastaj të gjitha harrohen, edhe lodhja edhe debatet edhe përpjekjet.
Viti i ri arsimor në shkollën Sami Frashëri ka nisur me 1300 nxënës.