Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka takuar dhe Elissa Slotkin, përfaqësuese e Miçiganit në Kongresin amerikan.
Slotkin nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar, pasi ajo bashkë me kryeministrin Rama dhe ambasadoren Kim realizoi operacionin e shpëtimit të refugjatëve afganë që u strehuan në vendin tonë. “Elissa Slotkin është një përfaqësuese e shkëlqyer e Miçiganit dhe si ish-banor jam shumë krenar për të.
Ajo punoi shumë, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Ambasadoren Yuri Kim, për strehimin e refugjatëve afganë në Shqipëri, duke organizuar një operacion të suksesshëm shpëtimi”, shkruan Veliaj në rrjete sociale.
Në vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Veliaj zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan.
Ai u prit edhe nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, ish kandidati për President të SHBA-së, senatori Mitt Romney, kryetari i Senatit Amerikan, Chuck Schumer dhe shumë zyrtarë të lartë amerikan.