Nga Bordi Editorial, Albanian Post

Sa vërtet Edi Rama i ndihmon Serbisë, ashtu siç pohon Vjosa Osmani, u pa në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në të njëjtën foltore prej nga ku botës iu drejtua edhe Presidenti Joe Biden. Fjalët e Ramës për falsitetin e raportit të Dick Marty-it, për padrejtësinë dhe dhimbjen që ky raport i shkaktoi Kosovës dhe për nevojën që Kosova sa më parë të ketë ulësen e vet në OKB, nuk janë fjalë që Serbia ka dëshirë t’i dëgjojë. Jo, u shprehëm gabim. Këto janë fjalë që Serbia e bën të pamundurën të mos i lejojë madje as të thuhen. Janë fjalë që sikur, vetëm çerekun e tyre, t’i thoshte dikush tjetër, qoftë edhe në një intervistë për media, Serbia menjëherë do t’i denonconte me gjuhën më të ashpër. Por, edhe pse fjala e Ramës u transmetua LIVE nga foltorja më e rëndësishme e botës, nuk pamë as edhe një reagim të vetëm nga Serbia.

Fjalim në OKB i Edi Ramës i kishte katër njësi logjike, secila e menduar me kujdes dhe saktësi. Në dy njësitë e para të fjalimit, Edi foli për Ukrainën dhe Dick Marty-in, një ndërlidhje që pakkush do të guxonte ta bënte. Ndërkaq, dy njësitë e fundit, Edi ia kushtoi Ballkanit të hapur dhe nevojës për ta njohur Kosovën. Për logjikën sipërfaqësore të fansave të Vjosës kjo është sikur të përziesh kripë me sheqer. Por, kur njeriu zhvishet nga urrejtja dhe sado pak shërohet nga shkurtpamësia, nuk ka si të mos e pranojë që fjalimi i Edi Ramës, është fjalimi më i fuqishëm në mbrojtje të Kosovës dhe fjalimi më anti-rus që ndonjë udhëheqës i shtetit shqiptar e ka bërë ndonjëherë në ndonjë forum ndërkombëtar.

Sot, nuk mund t’i drejtohesh përfaqësuesve të të gjitha shteteve të botës dhe të mos e nisësh fjalimin pa folur për Ukrainën. Por kalimi nga Ukraina te të gjitha plagët që shkaktoi raporti i Dick Marty-it la të nënkuptohet që nesër, një spekulant tjetër, i gatuar në kuzhinat e imagjinatës perverse ruse, do t’i përvishet punës që ta njollosë edhe rezistencën titanike të Zelensky-it. Kushdo që nuk e ka kuptuar këtë seriozisht ka nevojë të rikthehet në shkollë. Mënyra si është bërë sinteza e të gjithë fjalimit, që vuloset me thirrjen për njohjen e Kosovës, e vendos Serbinë në një pozitë shumë të vështirë.

Në rrethana të tjera, ata do dilnin menjëherë me një reagim shumë të ashpër. Por, duke marr parasysh “vëllazërinë” e Vuçiç-it me Ramën, ata e kanë pothuajse të pamundur të reagojnë. E nëse nuk reagojnë atëherë, në heshtje, i aprovojnë tezat e Edit. Dhe kjo është një fitore e madhe për të gjithë shqiptarët. Tani, Vjosa dhe të tjerët si ajo, do të qahen me teori idiote si Rama po manipulohet nga Vuçiç, por e vërteta është që, sot, Serbia nuk guxon të acarojë raportet me Shqipërinë. Në intervistën e fundit për emisionin “Opinion”, të zhvilluar në New York, Edi Rama tha që, në politikën e tij ndaj Serbisë, udhëhiqet vetëm nga interesi nacional dhe strategjik i Shqipërisë.

Tani që Edi Rama ka hequr dorë nga nevoja ta bindë dikë në Kosovë për kursin e politikës së tij, pra respekton tërësisht sovranitetin vendimmarrës të Prishtinës, mendojmë që, me kohën, edhe populli i Kosovës do të nisi të kuptojë nevojën e “vëllazërisë” mes Ramës dhe Vuçiç-it. Vjosa e quajti apologjetik të Vuçiç-it Ramën, pikërisht kur ky dha fjalimin më goditës për Serbinë në platformën më të madhe që kanë krijuar kombet për t’iu folur njerëzve. Ky keqlexim i saj buron nga dy gjendje të mundshme e të cilat dallojnë veç për nga manifestimi kimik i emocionit dhe jo për nga prodhimi i poshtërsisë. Osmanit i pengon Rama sepse e kupton që nuk arrin dot të përformojë në nivelin e tij, pra ka smirë. Ose nuk e kupton fare përformancën e tij, pra s’ka dije. /Albanianpost.com