Ende nuk ka një kurë të mirëfilltë për migrenën, por ndryshimet në stilin e jetës dhe mënyra se si ushqeheni, janë disa nga gjërat që mund të përmirësojnë cilësinë e jetës tuaj. Për t’i ardhur në ndihmë personave që vuajnë nga kjo gjendje, AgroWeb.org ju njeh me disa pije që mund të bëjnë një ndryshim në simptomat e migrenës. Por përpara se të filloni me ndonjë nga pijet e mëposhtme, sigurohuni që ato të mos përmbajnë ndonjë përbërës që e dini se mund të përkeqësojë simptomat tuaja.
Edhe pse këto pije mund të jenë një mënyrë e dobishme për të lehtësuar dhimbjen e kokës, ato nuk janë një ilaç ose një zëvendësues i trajtimit tradicional parandalues për sulmet e migrenës. Ju duhet të punoni me mjekun tuaj për të krijuar një plan unik trajtimi. Lexoni më poshtë sugjerimet tona pwr pijet më të mira për dhimbjen e kokës nga migrena.
Kafe pa kafeinë
Për shumë njerëz kafeina është një shkaktar i mundshëm për episodet e migrenës. Ndaj zëvendësimi i kafesë me një kafe që nuk përmban kafeinë, mund të jetë një zgjedhje e mirë për ata që nuk duan të heqin dorë plotësisht nga kjo pije. Megjithatë, edhe për kafenë pa kafeinë këshillohet të mos pini më shumë se një filxhan në ditë.
Çaji jeshil
Çaji jeshil përbëhet nga gjethet e bimës Camellia sinensis dhe është i njohur për antioksidantët e tij, të cilët mendohet se luajnë rol në largimin e dhibjes së kokës.
Çaji i mentes
I njohur për efektet e tij analgjezike, vaji i mentes përdoret zakonisht në mjekësinë alternative për dhimbjet e kokës nga tensioni.
Ju gjithashtu mund të keni përfitime nga pirja e mentes në formë çaji dhe thithja e aromës, veçanërisht nëse jeni duke përjetuar dhimbje koke pulsuese. Çaji i mentes është pa kafeinë, kështu që mund ta pini atë në çdo kohë të ditës pa frikë se mund të ndikojë në gjumin tuaj.
Caji i xhinxherit
Një tjetër çaj bimor pa kafeinë që mund të ofrojë lehtësim për episodet e migrenës është çaji i xhenxhefilit. Për sa i përket trajtimit për sulmet e migrenës, xhenxhefili është ndoshta më i dobishëm në reduktimin e të përzierave dhe të vjellave, simptoma që mund të shfaqen gjatë një sulmi.
Lëngjet e zarzavateve me gjethe jeshile
Nëse nuk konsumoni mjaftueshëm zarzavate me gjethe jeshile, mund të keni mungesë të një vitamine të rëndësishme të quajtur folat (vitamina B9). Kjo mund të mos ju ndihmojë me sulmet e migrenës. Një studim i vitit 2015 ku AgroËeb.org u mbështet, tregoi se acidi folik redukton simptomat e migrenës. Por, ende nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar nëse marrja e kësaj vitamine në formë suplementi ndihmon në parandalimin e sulmeve të migrenës.
Megjithatë ju mund të përfitoni nga marrja e folatit nga ushqimet dhe në formën e lëgjeve.
Uji
Përveç konsumit të pijeve të tjera, është e rëndësishme të pini mjaftueshëm ujë gjatë gjithë ditës. Kjo ndihmon në parandalimin e një shkaktari të zakonshëm të sulmeve të migrenës që është dehidratimi.
Uji i mbushur me fruta
Uji i mbushur me fruta mund të jetë një mënyrë më e shijshme për të shmangur dehidratimin që mund të shkaktojë një sulm migrenë. Thjesht shtoni fruta të freskëta të copëtuara në një gotë me ujë për më tepër shije dhe vlera ushqyese. Në varësi të llojit të frutave që përdorni, mund të përfitoni edhe lëndë ushqyese si vitamina C dhe antioksidantë të tjerë.
Lëng rrushi
Lëngu i rrushit përmban mjaftueshëm magnez, një mineral i rëndësishëm që mund të përmirësojë gjendejn tuaj. Marrja e sasisë së rekomanduar të magnezit është gjithashtu e rëndësishme në procese të tjera të trupit.
Lëng portokalli
Lëngu i portokallit është një tjetër pije që mund të ndihmojë me dhimbjet e kokës dhe sulmet e migrenës. Kjo sepse ai ka një përmbajtje të lartë të magnezit. Por nëse agrumet shkaktojnë episode migrene për ju, anashkaloni lëngun e portokallit dhe provoni një pije tjetër në këtë listë.
Qumësht me yndyrë të reduktuar
Riboflavina (vitamina B2) është një tjetër lëndë ushqyese që mund të ndihmojë në reduktimin e shpeshtësisë së sulmeve të migrenës. Qumështi me pak yndyrë mund t’ju ndihmojë të arrini vlerën e rekomanduar ditore të vitaminës B2. Vlerë e cila është 1.3 mg për meshkujt e rritur dhe 1.1 mg për femrat e rritura. /AgroWeb.org