Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në konferencën e zhvilluar për 30-vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh se: “ Gjykata Kushtetuese përkujton sot 30 vjetorin e themelimit të saj. E kremte padyshim e rëndësishme, aq e rëndësishme, sa e keni parë të udhës të bëni pjesë të saj edhe autoritetet e larta të shtetit, përfshirë edhe mua si Kryeministër. E vlerësoj ftesën ndaj edhe erdha, duke ju kërkuar ndjesë që nuk do të mund të qëndroj më gjatë se fjala ime dhe ju falënderoj për ftesën, me një nuancë të vogël: duke më kërkuar fjalë përshëndetëse, më keni vënë përballë një dileme jo të thjeshtë dhe një sfide disi të veçantë.
Ndonëse sebepi është festiv, ushtrimi është tejet delikat dhe skena jo e zakontë: Kreu i pushtetit ekzekutiv, përpara një aeropagu juristësh e gjykatësish vendas, pra pushtetit gjyqësor, pa harruar edhe veshët e sytë diplomatëve të huaj, të cilët kur vjen fjala tek drejtësia duket se nuk ndjehen të huaj në territoret e saj – madje kanë edhe luksin e veçantë, që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave, çka për mua e për ne, autoritetet e këtij shteti këtu, nuk është hiç e këshillueshme, lëre më pastaj e imitueshme.”
“Sot kremtohet 30- vjetori i Gjykatës Kushtetuese. Në të vërtetë, ngjarja është më domethënëse se kaq. Në sytë e mi, çka kremtojmë sot janë vetë fillimet e konstitucionalizmit, të mbjelljes së idesë së kushtetueshmërisë si garanci e lirive individuale. E do të mbetet gjithnjë shtangës paradoksi që Shqipëria është një nga vendet e rralla, në mos i vetmi, i cili pas një periudhe të gjatë ndrydhjeje totalitare, u pajis me një Gjykatë Kushtetuese përpara se t’i jepte vetes një Kushtetutë formalisht të kodifikuar, të miratuar si themel i shtetit të ri përmes procedurave, me anë instrumentesh të kolauduar dhe falë konsensusit të bashkësisë politike, konkretizuar prej votës së popullit.
Në vitet e para të tranzicionit, Gjykata Kushtetuese mori barrën e të konceptuarit të kushtetueshmërisë si vlerë universale, si ide dhe si horizont, ndonëse në një vetmi absolute, e zhveshur nga çdo traditë pararendëse, nga çdo instrument juridik shtrëngues dhe përbashkues dhe ende e pamësuar me bazat, për te mos folur për sofistikimet, e të drejtave dhe lirive themelore, garantimi i të cilave ishte dhe mbetet çelësi i legjitimitetit të saj.
Megjithatë, pavarësisht tendencave deformuese për interesa politike e pragmatiste, falë Gjykatës Kushtetuese sot kemi një traditë të re dhe dinamike të ndarjes së pushteteve; një jetë parlamentare me rregulla pakashumë të qarta dhe të përcaktuara; një pavarësi të pushtetit gjyqësor që manifestohet edhe në formën e arbitraritetit, po jo më në atë të nënshtrimit; një qëndrueshmëri të sistemit juridik dhe gjithashtu një mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut e kështu me radhë.
Është krijuar një përshtypje sikur i gjithë aktiviteti i Gjykatës Kushtetuese konsiston në një kalim pasash mes saj dhe Kuvendit, herë duke u bërë ky i fundit paradhomë e së parës e anasjelltas. Kthim e rishqyrtim ligjesh sidomos kur ato kufizohen në pika fokale të debatit pozitë-opozitë, në pritje të një arbitrazhi që ndonëse me konture juridike, përqendrohet në arsyetime thjesht politike apo mjerisht ndonjëherë thjesht në balancime politike. Goditja në Kushtetuese e vendimit të qeverisë për uzurpimin e hapësirave jashtë lejeve të ndërtimit…
Të kuptohemi; faji nuk është këtu i Gjykatës Kushtetuese, por i shpërdorimit të saj nga aktorë publikë që duan t’u shpëtojnë përgjegjësive të tyre duke mos gjetur dot konsensus apo rrugë të ndërmjetme, po duke thirrur në ring vend e pavend Kushtetuesen, që për hir të detyrimit të pashmangshëm të dhënies së drejtësisë, shtrëngohet në debate dhe vendime nganjëherë drobitëse për ata që i lexojnë, duke mos e arritur dot atë ekuilibrin e artë që duhet ta frymëzojë, me tejçimin e urtësisë përmes arsyes” vijoi Kryeministri.