Nga Mero Baze
Ilir Meta/Metaj po e trajton Partinë Demokratike të Berishës si shtojcë të partisë së tij. Në përpjekje për të zhvlerësuar “primaret” e Berishës, të cilat në fakt janë një mekanizëm për të vonuar debatin për koalicionin parazgjedhor, Meta/Metaj ka paralajmëruar në daljen e fundit se do të kandidojë ndaras Berishës, por do ta “respektojë” atë, duke mos vendosur kandidatë aty ku do të vendos Berisha.
Në një farë mënyre ai e ka trajtuar PD e Berishës si një parti të cilën Meta/Metaj do ta mëshiroj, do ti lërë ndonjë zonë të lirë dhe nuk do ta konkurrojë gjithandej.
Në të njëjtën kohë ai i ka kërkuar Berishës të marr vendim të shpejt për tri bashkitë kryesore, Tiranë Durrës Elbasan me sa duket për të krahasuar kandidatët e tij me atë të Berishës dhe për të marrë po ashtu një vendim nëse do ta “tolerojë” edhe këtu apo jo. E bashkuar me gjuhën e trupit dhe gjithë qëndrimet e fundit të tij, duket qartë se Berisha dhe Meta/Metaj nuk janë në një gjatësi vale para fushatës . Kjo nuk do të thotë që ata nuk do të përfundojnë doemos në një koalicion, por taksa që duhet të paguaj Berisha duket që është e lart. Aq e lart, sa Meta/Metaj po e trajton si parti të dorës së dytë në raport me partinë e tij. Nga ana tjetër gjuha e ashpër e Meta/Metaj ndaj Bashës tingëllon pak fals. Edhe pse ai po përpiqet të fshij të shkuarën e vet duke ja ngarkuar përgjegjësitë për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale Bashës, të gjithë e dimë që betejën kryesore madje juridike për shtyrjen e zgjedhjeve e bëri Meta/Metaj, me prishjen e datës së zgjedhjeve më 30 Qershor dhe me përpjekjen e tij për ti shtyrë ato në tetor. Fakti që askush nuk ja respektoi dekretin i cili po ashtu u shpall jo kushtetues nga Gjykata, nuk mund të fsheh faktin që më së paku Meta/Metaj ka vepruar si një shërbëtor i Bashës. Dhe nëse ka qenë i tillë, shërbëtori nuk mund të akuzoj të zotin e vet pasi ja ka zbatuar urdhrat. Por më shumë se sa qëndrimi për të shkuarën Meta/Metaj po i shërben tani Bashës me këtë qëndrim shantazhist ndaj Berishës. Duke ja bërë të pamundur Berishës një koalicion parazgjedhor, me kushtëzime të tilla, Meta/Metaj ja ka lehtësuar ndjeshëm Bashës dhe Alibej refuzimin e një koalicioni me Berishën. Ata edhe ashtu nuk kanë pse ti gjunjëzohen Berishës, por kur Berisha nuk i mbush dot mendjen as Meta/Metaj apo Dash Shehit të jenë në një koalicion me të, nuk pas e këtë të bëj Basha me Alibej. Në këtë pikë ata janë aleatë me Meta/Metaj më shumë se sa me Berishën. Beteja kryesore në këtë fushatë, është izolimi i Berishës dhe marrja peng prej tij e një pjesë të opozitës. Fakti që të gjithë po përpiqen ta lënë vetëm Berishën në opozitë, e duan apo nuk e duan njëri tjetrin, janë në fakt në një aleancë të heshtur anti-Berishë në opozitë.