Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka shkuar sërish këtë të premte në ambientet e GJKKO ku do të ketë një takim me gjyqtarë dhe prokurorët e SPAK. Dy ditë më parë, Kim ishte në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj.

Në një njoftim për mediat, ambasada amerikane zbardhi takimin e Kim me gjyqtarët. “Duke nënvizuar se reforma në drejtësi është në një fazë kritike, Yuri Kim u bëri thirrje gjyqtarëve që të kryejnë punën e tyre me integritet, pavarësisht nga kërcënimet dhe nxitjet e atyre që kërkojnë të ruajnë mosndëshkueshmërinë ose privilegjin e tyre të paligjshëm. Kërcënime dhe nxitje të tilla janë në vetvete të paligjshme dhe duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht. Siç thotë edhe tabela në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, “Ligji është i barabartë për të gjithë”.

Kjo do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht sundimin e ligjit dhe, më gjerë, reformën në drejtësi, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë si një aleate demokratike, e begatë e Shteteve të Bashkuara dhe anëtare e Bashkimit Europian”, thuhet ne njoftimin e ambasades.