Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të shtunë gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, për vendimin për anulimin e fashës 800 kilovat për muajin Tetor. Kreu i qeverisë u shpreh se janë dy elementë që ndihmuan qeverinë që ta shtyjnë vendimin, por jo të heqin dorë nga ai. Rama tha se kjo ka të bëjë me reshjet që janë shtuar dhe trendin e kursimit.
“Nuk ka lidhje me asnjë tenxhere zemërimi dhe asnjë tenxhere grumbullimesh. Kemi pasur dy elementë që na kanë ndihmuar ta shtyjmë, jo të heqim dorë, por ta shtyjmë vendosjen e fashës dhe të mos e vendosim në muajin Tetor. Elementi i parë është reshjet, pra kemi pasur reshje që kanë shtuar edhe pse jo në mënyrë të konsiderueshme, por kanë shtuar kuotat në HEC-e. Elementi i dytë është një trend kursimi që ka bërë që nevoja për energji të jetë shumë më e ulët se sa parashikimi. Atëherë ne këtë nevojë mund ta vazhdojmë ta përballojmë pa pasur kërcënim në aspektin financiar. Ko është e gjitha, nëse trendi i kursimit do të vazhdojë dhe nëse reshjet vazhdojnë ne ta kalojmë pa asnjë të papritur muajin Tetor. Në muajin Nëntor do të vendoset fasha duke pasur parasysh parametrat, ose do t’i rikthehemi këtij diskutimi përsëri duke pasur parasysh parametrat”, u shpreh Rama.