Synimi i qeverisë shqiptare është që brenda 8 vitesh, vendi të prodhojë vetë të gjithë energjinë që nevojitet dhe madje të ketë mundësi të eksportojë. Planin e ka shpjeguar në samitin e Berlinit zv/Kryeministrja dhe njëkohësisht ministre e Energjisë, Belinda Balluku.
“Të gjitha projektet që ne kemi planifikuar në fushën energjetike, në fund të vitit 2030 do të ofrojnë 4 terravat më shumë prodhim vendas për Shqipërinë duke mbuluar kështu të gjithë nevojën e tregut shqiptar dhe duke e kthyer Shqipërinë nga një vend importues neto të energjisë, në një eksportues neto të energjisë dhe padyshim duke i dhënë kështu rajonit mundësi për më shumë siguri energjetike”.
Balluku rendit një sërë investimesh në përballimin e krizës dhe rritjen e kapacitetit energjetik të vendit.
“Projekti i terminalit të lundrueshëm të Vlorës për gazin e lëngshëm, ashtu edhe prodhimi i shtuar që do të vijë nga termocentrali i Vlorës, por mbi të gjitha tubi i transmetimit të gazit që do të lidhë këtë port të lundrueshëm me pikën e daljes së TAP, janë padyshim një nga projektet më të rëndësishme të integruara që do të ndikojnë të gjithë sigurinë energjetike të rajonit duke e vendosur kështu Shqipërinë në krye të listës përsa i përket investimeve në fushën energjetike në kuadër të kësaj krize”.
Në samitin e Ballkanit Perëndimor, nën ombrellën e Procesit të Berlinit u fol për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve për përballimin e krizës globale të energjisë dhe inflacionit. Balluku tha se partnerët, bankat dhe institucionet vlerësuan Shqipërinë për ankandet transparente që kanë sjellë investime të huaja.