Banka Botërore ka publikuar ditën e sotme Raportin e Rrregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet fort se lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritjen e inflacionit në rajon.
Banka vlerëson se vendi me inflacionin më të ulët mbetet Shqipëria, kjo falë vendimit të qeverisë për të mos rritur tarifat e energjisë për qytetarët.
“Në korrik, inflacioni total vjetor arriti në 7.5 përqind në Shqipëri dhe deri në 16.7 përqind në Bosnje-Hercegovinë. Kontrollet e tarifave të energjisë dhe një rritje e butë e vlerës së monedhës penguan një rritje të ngjashme të inflacionit në Shqipëri”, shkruan BB.
“Inflacioni ka nxitur ofrimin nga qeveria të mbështetjes shtesë për familjet dhe NMV-të, të cilat tashmë po përfitojnë nga çmimet e rregulluara të energjisë elektrike”, theksohet më tej.
Sipas Bankës, inflacioni tashmë pritet të mbetet dyshifror për vitin 2022 në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me përjashtim të Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, Banka ka konfirmuar atë që kryeministri Rama ka thënë prej kohësh, se Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon, pikërisht prej rimbursimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.