Politika monetare shtrënguese që po ndjek Banka e Shqipërisë, synon ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit që në gusht ka prekur normën rekord prej 8%, kryesisht prej shtrenjtimit të fortë të ushqimeve dhe karburanteve, si pasojë e luftës në Ukrahinë.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, presionet e huaja inflacioniste shënuan një rritje të çmimeve në tregun vendas, që në muajt korrik e gusht, respektivisht prekën vlerat 7.5 % dhe 8.0 %. Ndërkohë që tendenca e rritjes së çmimeve po bëhet prezente në një gamë më të gjerë mallrash dhe shërbimesh.
Në raportin e publikuar së fundmi BSH-ja argumenton se lufta në Ukrainë përkeqësoi problemet ekzistuese të ofertës globale dhe shkaktoi probleme të reja, kryesisht në tregjet e ushqimeve bazë, të lëndëve energjetike dhe të lëndëve bazë. Si rezultat, çmimet e këtyre produkteve u rritën shpejt në tregjet globale dhe në vendin tonë. Por paralelisht me to, vëren BSH-ja, rritja e kërkesës agregate në vend ka mbështetur zgjerimin e punësimit dhe të pagave dhe ka shtuar presionet e brendshme inflacioniste. Në përditësimin e parashikimeve të saj Banka Qendrore, vlerëson se inflacioni do të kthehet në objektiv gjatë vitit 2023 dhe në gjysmën e parë të vitit 2024.
“Në terma të dinamikës kohore, inflacioni pritet të mbetet i lartë në dy tremujorët në vazhdim dhe të nisë rënien në periudhën pasuese. Ky parashikim faktorizon pritjet për zbutjen progresive të presioneve inflacioniste në ambientin e huaj. Gjithashtu, ai kërkon normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, për të siguruar kontrollin e efekteve të raundit të dytë në ekonominë vendase”, thekson BSH-ja në raportin e fundit mbi politikën monetare.