Nënkryetari i Grupit të Partisë Socialiste Toni Gogu, është shprehur se me ligjin e hapjes së dosjeve shqiptarët do e kuptojnë se kush ka qenë ‘doktori i dosjeve’, duku iu referuar kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.
Në një intervistë për Euronews Albania, Gogu theksoi se me ligjin e lustracionit Berisha donte të bënte gjueti shtrigash dhe shantazhim personash.
“Berisha ka mundur gjithmonë që ta sjellë ligjin e lustracionit, por gjykata gjithmonë ia ka përplasur turinjve për shkak se ajo që donte të bënte Berisha ishte gjueti shtrigash dhe shantazhim personazhesh. Fakti që Berisha nuk erdhi dhe nuk votoi hapjen e dosjeve tregon fare mire se çfarë ka dashur dhe çfarë do të bëjë Berisha.
Mua më vjen mirë se të gjithë shqiptarët të cilët nuk e kanë jetuar atë kohë, po shikojnë se cili ka qenë doktori i dosjeve. Përsa i përket nismës që ne dorëzuam në Kuvend është vazhdimi i kësaj gjëje, pra ligji i integritetit. Ne besojmë se zyrtarët duhet të jenë persona me integritet, persona që nuk e kanë shpërdoruar besimin e mikut, të familjes dhe kolegëve”- tha ai.