Nga Artur Ajazi/
Edhe pse ka arritur të shkojë qytet më qytet, apo dhe fshat më fshat, madje deri në Derviçanin e largët, duke “zbërthyer” programin e partisë tij, Sali Berisha thellë brënda vehtes e di fare mirë se, nuk do ti fitojë kurrë zgjedhjet. As ato vendore, dhe as ato të përgjithshme. Ai e di fare mirë se, pa mbështetjen amerikane, zgjedhjet nuk mund të fitohen as në vende të mëdha europiane, me shtet dhe ligje të konsoliduara. Ndaj dhe hamendësimin e tij, e ka të qartë, duke u përpjekur intensivisht të bllokojë rrugëtimin e vendit drejt integrimit. Në fakt, Sali Berisha e ka patur synimin e tij, bllokimin e integrimit, lëre se ç’flet për “futjen në NATO, apo heqjen e vizave”. Një Shqipëri në BE, do ta kishte flakur me kohë Berishën nga politika, dhe do ta kishte dërguar në Prokurori dosjen e madhe me akuza ndaj tij.
Po ashtu edhe dosje të tjera të ish-ministrave, apo dhe ministrave aktualë. Por ja që Edi Rama nuk “dëgjon” nga ai vesh, dhe ka vendosur ti japë Berishës të vetmen përgjigje si gjithmonë, duke injoruar çdo paralajmërim apo presion për “protesta popullore”. Duke mos përmendur shkaqet e tjera dhe dëmet e mëdha që Berisha i ka shkaktuar asaj partie që drejton, mjafton të përmendim vetëm faktin se, ka larguar dhunshëm prurjet e reja. Në Partinë Demokratike, nuk ka shans asnjë djalë apo vajzë të shkolluar brënda apo jashtë vendit, që pretendon se “duke hyrë në rradhët e asaj partie, mund të kapë majat”.
Ata sapo nisin të ngrihen “me krahët lart” përballen me ulurimat e zëshme dhe të pazëshme të grupit të kryetarit dhe ish-liderit historik. U bëhet e qartë se “në majë ka qenë, është dhe do të mbetet Ai”. Berisha ka 32 vjet, që ndalon dhunshëm afrimin dhe integrimin e të rinjve në strukturat drejtuese. Keshilli Kombëtar, kryesia apo edhe strukturat e tjera, deri tek degët e rretheve, kanë sot në krye “xhaketa të vjetra”, njerës të përfolur, që kanë 2-3 dekada që i vjelin Partisë Demokratike pushtetin. Ata nuk ikin, ata nuk e lëshojnë vendin, kanë hyrë në atë parti me çorape seiloni prodhim Korça, të grisura, dhe sot janë milionerë. Ja kanë parë “hairin” pushtetit, lepe-peqe ndaj Berishës, dhe bindjes së përjetshme ndaj tij.
Edhe sot po ndodh e njëjta gjë. Sali Berisha e di fare mirë se, pa mbështetjen e SHBA, apo dhe shteteve lider të BE-së, kurrë nuk mund të fitosh as bashkitë, dhe jo të pretendosh pushtetin politik. Ish-lideri historik, edhe pse e ka kuptuar se “PD do të thotë Berishë” dhe se kjo nuk do ta shpjerë atë kurrë në pushtet, sërish ngopet dhe kënaqet me faktin sepse, “e ndjekin një grusht njerësish, ndjehet i pari në parti, dhe kaq”. Berisha e ka pranuar faktin se, “duhet të kënaqet me kaq sa arriti pas shpalljes non-grata, dhe të mos shkojë më tej, se turpërohet përfundimisht”. Edhe në zgjedhjet e reja lokale, ai do ta gjejë mënyrën se si të dalë “pa lagur”, duke akuzuar sërish qeverisjen Rama për “manipulime, vjedhje votash”, dhe duke mos pranuar humbjen. Ai i ka të qarta të gjitha, por nuk mund ta pranojë faktin se me atë në krye, Partia Demokratike ka vulosur përfundimisht humbjen e përjetshme.