Krahasuar me muajin gusht të një viti më parë importet nga Shqipëria janë ulur me 10 për qind, ndërsa ato nga Serbia janë rritur me 30 për qind. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke krahasuar muajin gusht me atë të vitit të kaluar, ka thënë se importet nga Shqipëria janë zvogëluar për 10%, ndërsa ato nga Serbia janë rritur për 30%. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai ka folur për tregtinë e jashtme në bazë të raportit të Agjencisë së Statistikave.

“Nëse shihen importet vetëm me vendet e rajonit, po e marr vetëm muajin gusht të këtij viti krahasuar me gushtin e vitit paraprak keni për të parë që importet nga Shqipëria janë zvogëluar për 10% por nga Serbia janë rritur me 30%. Edhe ju keni me thënë këtu që është ekonomi e hapur, Kosova ka ekonomi të hapur, ka ekonomi të tregut, në rregull pro ka pasur ekonomi të tregut edhe ku i keni përmbysur kamionët me mallra që vinin nga Serbia”. Ai ka thënë se në bazë të raportit Kosova po importon më shumë se vitin e kaluar në të gjitha mallrat pa përjashtim. Sipas tij, kjo i vë në pikëpyetje deklarimet për rritje të madhe ekonomike të prodhimit vendor apo ato për 40 mijë vende të punës. “Thellimi i deficitit tregtar, në bazë të këtyre të dhënave të Agjencisë të Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës janë rritë për 150 milionë por importet janë rritë me 800 milionë dhe kjo e ka çuar deficitin tregtar në 3 miliardë që është rritje për 56% krahasuar me vitin paraprak dhe besoj që këtu ja keni thyer një rekord vetës se kështu po i interpretoni këto çështje”, ka thënë Hoti. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është shprehur se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë rritur. Ai pati thënë se investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin 9 milionë, e në 2021-n 139 milionë. Sipas tij, kjo shifër është domethënëse, e mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme.
Kosova gjatë muajit gusht të këtij viti, ka eksportuar jashtë vendit mallra në vlerë të vetëm 84.8 milionë eurove. Në krahasim me importin e mallrave gjatë kësaj periudhe, vlera e eksportit ishte shumë më e ulët.