Duke filluar nga dita e sotme, çmimi i naftës do të shitet me 6 lekë më pak. Në shifrat e fundit të bëra publike nga Bordi i Transparencës, çmimi i naftës nga 229 lekë, do të shitet me 223 lekë. Po ashtu ulje ka pësuar edhe çmimi i benzinës, i cili do të tregtohet me 5 lekë më pak. Nga 203 që ishte vendosur më parë, benzina nga sot do të shitet me 198 lekë. Çmimi i gazit ndërkohë mbetet i pandryshuar.
‘Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 1 Tetor 2022, janë si rezultat i levizjes së çmimeve në bursën Platts Mediteran dhe kursit të këmbimit. Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 223 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 211 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 198 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet.
Bordi i transparencës që ne krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve. Ministria e Financës ndjen detyrimin të sqaroj opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njejtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës. Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetem me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim.’- thuhet në njoftimin e Bordit të Transparencës
Çmimet e reja do të futen në fuqi sot nga ora 20:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi sqaron opinionin publik se zbaton me kujdesin e duhur aktin normativ në fuqi, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve në këto kushte të krizës botërore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve të nënprodukteve të naftës.
Çdo biznes i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.
Ishte Bëhet
Nafta 229 lekë 223 lekë
Benzina 203 lekë 198 lekë
Gazi 78 lekë 78 lekë