Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të certifikatave të mirënjohjes për qytetarë në bashkinë e Kolonjës, shembuj të punës që i vijnë në ndihmë edhe komuniteteve të tyre.

I pari që mori certifikatën ishte inxhinieri Nikolla Siliqi, figura e të cilit u vlerësua nga kryebashkiaku Erion Isai për kontributin e tij për qytetin.

“Me motivacionin inxhinier profesionist dhe figurë e rrallë e Kolonjës me vlera civile të papërsëritshme, intelektual që është ende aktiv në jetën e Kolonjës me këshilla të vyera”, tha Isai. Me motivacionin doktor me një përkushtim të admirueshëm, i cili gjithë kontributin dhe talentin e tij e ka vënë në dispozicion të mbarë kësaj treve, por mbi të gjitha me vlera intelektuale të padiskutueshme, certifikata e radhës shkoi për doktorin Fluturak Lamçe.

Certifikatat u dorëzuan dhe nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, njëkohësisht drejtuese politike e PS-së për qarkun e Korçës, Olta Xhaçka si dhe nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Me motivacionin si artiste me një sharm unik, cilësuar si mbretëreshë e valles së kënduar, e cila për afro gjysmëshekulli nëpërmjet interpretimit të saj vazhdon të mrekullojë publikun, certifikatë mirënjohjeje iu dha Bylyre Jasharit.

Për kontribute të veçanta në artin skenik si aktor dhe regjisor, për më shumë se gjysmëshekulli iu shpreh mirënjohja Anastas Rushit. Po ashtu, certifikatë mirënjohjeje morën dhe disa personalitete të tjera, si këngëtari Dhimitraq Jote, mjeshtri i klarinetës Aleks Xhelili. Për promovimin e turizmit në Kolonjë certifikatë mirënjohjeje iu dha agrobiznesit “Farma Sotira” dhe “Sofrës Kolonjare”.