Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në eventin “Krenaritë e vendit”, në Peshkopi. Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se, sot jepen simbolikisht disa falënderime publike.
“Ata që do i marrin këto falënderime drejtpërdrejt janë thjesht përfaqësuesit e të gjithë juve këtu dhe të tjerë që nuk janë këtu. Sepse vështirë për t’i mbledhur të gjithë njerëzit që na bëjnë krenarë, që bëjnë krenarë komunitetin këtu”, tha Rama. Por, shtoi kryeministri, “kjo është një eksperiencë pozitive edhe për ne. Kështu që do të rikthehemi përsëri, edhe tek të tjerët, për t’i shprehur të gjithë respektin e merituar dhe mirënjohjen për kontributin që japin për komunitetin, por mbi të gjitha për shembullin që japin sesi me ide dhe me punë të madhe bëhet sukses jo vetëm në qytet, por edhe në fshatin më të largët”.
Kryeministri Rama u shpreh se, “ne jemi duke bërë një diskutim të brendshëm në grupit tonë brenda në qeveri për të krijuar një program të posaçëm mbështetjeje për këto rrjetet e grave, bërthamat apo rrjete më të zhvilluara që merren me traditën. Qoftë me traditën në ushqim, qoftë me traditën në veshje, qoftë me traditën në dekoracione. Dhe së shpejti do të nënshkruajmë me disa bashki, ku përfshihet natyrisht edhe bashkia e Dibrës, një sërë marrëveshjesh për të krijuar një mbështetje që këto rrjete të zgjerohen në funksion të industrisë së turizmit, e cila edhe këtu në Dibër ka filluar të hedhë hapa të rëndësishëm përpara”.
“Kemi pasur këtë vit 26 mijë turistë vetëm në bashkinë e Dibrës. Është shumë domethënëse. Dhe vlen t’ju kujtohet të gjithë atyre që kur unë flisja për një destinacion turistik të rëndësishëm të Shqipërisë për Dibrën, iu dukej sikur flisja përralla. 26 mijë kemi pasur, 260 mijë mund të bëhen dhe do bëhen brenda jo shumë vitesh, keni për të parë që kjo zonë, do të ketë çerek milionë turistë në vit”, tha Rama.
“Certifikatë Mirënjohjeje” iu dha Ergys Sevdarit, për shembullin e treguar se emigrimi nuk është zgjidhje por një eksperiencë e fituar jashtë, për t’u shfrytëzuar në dobi të vetes dhe vendit tënd duke arritur suksesin nëpërmjet investimit në bujqësi e blegtori.
“Certifikatë Mirënjohjeje” iu dha Zija Keshit, për kontributin e dhënë në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të traditës së pemëtarisë në zonën e Dibrës, përmes kultivimit dhe eksperimentimit të praktikave të rejave në fushën e fidanëve dhe të bimëve medicinale.
“Certifikatë Mirënjohjeje” iu dha Remzi Kosiqit për kontributin në zhvillimin ekonomik e social të zonës, përmes krijimit të vendeve të reja të punës, në një sipërmarrje të suksesshme në fushën e prodhimit të komponentëve të automjeteve me teknologji të avancuar për kompanitë më të njohura botërore të automobilizmit.
“Certifikatë Mirënjohjeje” iu dha grave të Pocestit, për angazhimin dhe kontributin në promovimin e vlerave të kulinarisë dhe produkteve dibrane, përmes bashkimit në një sipërmarrje të suksesshme ekonomike, duke u bërë shembull frymëzimi dhe model për t’u ndjekur për shumë gra dhe vajza të zonës.“Certifikatë Mirënjohjeje” iu dha Vehip Salkurtit për kontributin e çmuar në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës, përmes ngritjes së një sipërmarrjeje të suksesshme për kultivimin, grumbullimin dhe përpunimin e frutave, duke aplikuar teknologji të avancuar, si dhe për prodhimin në mënyrë natyrale të lëngut të mollës “Eliksir”.
“Certifikatë Mirënjohjeje” iu dha Musë Selamit për modelin e dhënë në infrastrukturën bashkëkohore në ofrimin cilësor të shërbimeve në fushën e hoteleri-turizmit, duke e kthyer hotel “Veri” në një nga destinacionet më të njohura në Dibër dhe në gjithë Shqipërinë.