Pas thirrjes që bënë dje në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar, disa deputetë të PD-së kanë shkuar sot në Gjykatën e Apelit ku kanë kërkuar të jepet sa më shpejt një vendim për situatën gjyqësore ku ndodhet kjo forcë politike. Deputeti Dashnor Sula deklaroi se janë informuar që çështja nuk është planifikuar fare për gjykim ndërsa shtoi se do të paraqesin edhe një shkresë për përshpejtimin e gjykimit. Ai u shpreh se nuk do të presin pa fund për vendimin, dhe nga ana tjetër nënvizoi se do të jenë pjesë e Partisë Demokratike kushdo të shpallet fitues në çështje. Sula u shpreh se PD duhet të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje duke propozuar edhe një model primaresh ku përveç anëtarëve të votojnë edhe simpatizantët.
“Ne nuk morën asnjë informacion. Morëm informacion që nuk është planifikuar fare për gjykim. Korreshi do paraqesë dhe një shkresë që kemi kërkuar përshpejtimin e gjykimit. Ne na intereson gjykimi përfundimtar dhe marrja e një vendim final për të bërë të mundur një pikënisje të përbashkët. Nëse do caktohet Rithemelimi ne do jemi pjesë e Partisë Demokratike siç jemi sot pjesë e Partisë Demokratike. Jemi për daljen me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e vitit 2023. Nëse i keni ndjekur prononcimet e tjera kam hedhur idetë që në primaret të mos votojë vetëm anëtarësia. Unë jam për të pasur një hap më të gjerë”, tha Sula.
Sipas tij “Duhet të votojnë jo vetëm anëtarësia por do të kemi sa më shumë përfaqësues për të votuar dhe qytetarë të thjeshtë për të dalë kandidati më i mirë. Do të kërkohet një vullnet i përbashkët i dy palëve. E kam parë preokupimin që të jemi me kandidatë të përbashkët. Ne jemi në një realitet që kërkojmë një gjykim të këtij ankimi. Nëse kjo trupë gjyqësore ka pengesa nga aktorë të tjerë kjo është tjetër gjë. Nuk shikoj asnjë arsye pse ky gjykim vonohet. Gjykata e Apelit nuk shqyrtoka dot një çështje të tillë që kërkon vetëm një orë. Do uroja që Apeli ta marrë seriozisht këtë kërkesë të kërkuar nga anëtarët e PD ndryshe ka pikëpyetje shumë të mëdha. Ne nuk do të presim fund. Ka aktorë të caktuar që kanë interesa”, tha ai. Nga ana tjetër deputeti Korreshi u shpreh se kërkohet sa më shpejt një vendimmarrje nga ana e Gjykatës që demokratët të mos përsërisin 6 marsin kur dolën me dy kandidatë dhe humbën përballë maxhorancës.