Disa teori janë përpjekur deri më sot të shpjegojnë se çfarë e bën diçka mjaftueshëm qesharake që të na nxisë të qeshim. Këtu përfshihet shkelja e normave (bërja e diçkaje të ndaluar), shfaqja e ndjesës së arrogancës ose epërsisë (talljes) dhe mospërputhja, pra prania e dy kuptimeve të papajtueshme në të njëjtën situatë.
Unë kam rishikuar të gjithë literaturën e disponueshme mbi të qeshurën dhe humorin të botuar në anglisht gjatë 10 viteve të fundit, për të parë nëse mund të arrihet në ndonjë përfundim tjetër. Pasi shqyrtova më shumë se 100 studime mbi këtë fushë, gjeta një shpjegim të ri të mundshëm:e qeshura është një mjet që natyra mund të na ketë dhënë për të na ndihmuar të mbijetojmë.
Teoria e mospërputhjes është e mirë në shpjegimin e të qeshurës të nxitur nga humori, por nuk mjafton. Në këtë rast, e qeshura nuk ka të bëjë me një ndjenjë gjithëpërfshirëse të gjërave që janë jashtë normës apo të papajtueshme. Bëhet fjalë për gjetjen e vetes në një situatë specifike që i përmbys pritshmëritë tona për normalitet.
Për shembull, nëse shohim një tigër që është duke shëtitur lirshëm përgjatë një rruge në qytet, kjo skenë mund të na duket vërtet anormale. Por nuk është komike, përkundrazi do të ishte e frikshme. Por nëse tigri është shtirë në rrugë dhe rrotullohet si një top, atëherë ai do të bëhet komik.
Anti-heroi në filmin e animuar Homer Simpson, na bën të qeshim kur ai bie nga çatia e shtëpisë së tij dhe kërcen si një top, apo kur përpiqet të “mbytë” djalin e tij Bart, që e sheh me sytë e zgurdulluar dhe gjuhën e nxjerrë jashtë që lëkundet sikur të ishte prej gome. Këta janë shembuj të përvojës njerëzore që kalon tek një version i ekzagjeruar dhe vizatimor të botës, ku mund të ndodhë çdo gjë, veçanërisht qesharake.
Por që të jetë për të qeshur, ngjarja duhet të perceptohet edhe si e padëmshme. Ne qeshim sepse e pranojmë se tigri apo Homeri nuk i kanë lënduar kurrë realisht të tjerët, dhe as nuk lëndohen vetë, sepse në thelb botët e tyre nuk janë reale. Prandaj ne mund ta përkufizojmë situatën komike si një proces me tre faza.
Së pari, kemi nevojë për një situatë që duket e çuditshme, dhe që shkakton ndjenjën e diçkajetë pazakonte (hutim ose panik). Së dyti, shqetësimi ose stresi që ka provokuar situata e papërshtatshme duhet të trajtohet dhe kapërcehet (zgjidhja). Së treti, e qeshura vepron si një sirenë alarmi për të paralajmëruar kalimtarët (lehtësimi) se janë të sigurt.
E qeshura mund të jetë një sinjal, të cilin njerëzit e kanë përdorur për mijëra vite për t’u treguar të tjerëve se nuk kërkohet një përgjigje e tipit “lufto ose vrapo”, dhe se kërcënimi i perceptuar ka kaluar. Kjo është arsyeja pse e qeshura është shpesh ngjitëse:ajo na bashkon, na bën më të shoqërueshëm, sinjalizon fundin e frikës ose shqetësimit.
E qeshura është tharmi i jetës. Ajo ka një rëndësi të madhe për fiziologjinë e trupit tonë. Ashtu si e qara – dhe përtypja, frymëmarrja apo ecja – e qeshura është një sjellje ritmike dhe një mekanizëm çlirues për trupin. Qendrat e trurit që rregullojnë të qeshurën janë ato që kontrollojnë emocionet, frikën dhe ankthin.
Ndaj e qeshura e zbeh stresin ose tensionin e një situate, dhe e bën trupin tonë të ndihet më mirë. Humori përdoret shpesh në ambientet spitalore për të ndihmuar pacientët në shërimin e tyre. Kjo është treguar nga studimet e terapisë përmes kllounëve. Po ashtu humori mund të përmirësojë presionin e gjakut, forcojë mbrojtjen imunitare dhe të ndihmojë në kapërcimin e ankthit dhe depresionit.
Hulumtimi im ka zbuluar gjithashtu se humori është i rëndësishëm në procesin e mësimdhënies, dhe përdoret për të theksuar konceptet dhe mendimet. Humori mbi materialin e kursit e forcon vëmendjen e nxënësve dhe studentëve dhe krijon një mjedis më të relaksuardhe produktiv.
Po ashtu ai redukton ankthin, rrit pjesëmarrjen dhe motivimin e tyre. Rishikimi i këtyre të dhënave mbi të qeshurën, na nxit të ngremë një hipotezë se përse njerëzit bien në dashuri me dikë sepse “më bën për të qeshur”. Nuk është vetëm çështja e të qenit plot humor. Mund të jetë diçka më komplekse.
Nëse e qeshura e dikujt tjetër provokon tonën, atëherë ai person po sinjalizon se ne mund të rrimë të qetë, të jemi të sigurt, dhe kjo krijon besim. Nëse e qeshura jonë nxitet nga shakatë e tyre, kjo ka si efekt kapërcimin e frikës së shkaktuar nga një situatë e çuditshme ose e panjohur.
Dhe nëse aftësia e dikujt për të na bërë të qeshim, na frymëzon për të kapërcyer frikën tonë, ne jemi më të tërhequr drejt tyre. Kjo mund të shpjegojë pse ne i adhurojmë ata që na bëjnë të qeshim. Nga pikëpamja evolucionare, është pikërisht kjo sjellje njerëzore që ka përmbushur ndoshta një funksion të rëndësishëm sa i përket ndërgjegjësimit për rrezikun dhe vetë-mbrojtjen./Bota.al