Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka ndarë disa foto nga protesta e zhvilluar ditën e sotme në Elbasan kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Ai dënon sjelljen e policisë, e cila sipas tij është treguar jo profesionale ndaj lëvizjes së qytetarëve duke bllokuar protestën e tyre. “Edi Rama duhet të jetë i përgatitur për çdo formë reagimi të qytetarëve! Ata do të jenë gjithnjë e më shumë. Askush nuk do t’ia fal Edi Ramës t’i fusë dorën në xhep atyre, për t’u marrë paratë e djersës dhe fëmijëve!”, shkruan ai.

Statusi i Luçiano Boçit

Nisëm sot nga Elbasani protestat. I falenderoj me zemër të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që përtej çdo angazhimi të tyre, ishin sot në bulevardin e Elbasanit, për të protestuar kundër rritjes së çmimit të karburanteve.

Dënoj me forcë sjelljen fyese dhe jo profesionale të Policisë së Elbasanit që përtej interesit të qytetarëve për të protestuar, zgjodhën t’i binden urdhërave politikë për të bllokuar protestuesit t’i bashkohen tubimit paqësor!

Edi Rama duhet të jetë i përgatitur për çdo formë reagimi të qytetarëve! Ata do të jenë gjithnjë e më shumë. Askush nuk do t’ia fal Edi Ramës t’i fusë dorën në xhep atyre, për t’u marrë paratë e djersës dhe fëmijëve!