Rregullat e reja për COVID-19 në Gjermani hynë në fuqi më 2 tetor në Gjermani, ndërsa vendi përgatitet për një rritje të rasteve gjatë muajve të ftohtë.
Maskat FFP2 janë të detyrueshme në trenat ndërqytetës për personat mbi 14- vjeç, ndërsa maskat kirurgjikale më parë ishin të mjaftueshme. Nga ana tjetër, detyrimi për të mbajtur maska në avionë është hequr.
Maskat FFP2 tani janë të detyrueshme në spitale, shtëpi pleqsh dhe zyrat e mjekëve. Në shtëpitë e të moshuarve dhe spitalet, duhet të paraqitet një test negativ përpara hyrjes. Punonjësit duhet të testohen disa herë në javë.
Nga e shtuna, autoritetet lokale janë autorizuar të vendosin mbajtjen e detyrueshme të maskave në trenat dhe autobusët lokalë, si dhe në hapësirat e mbyllura si dyqane, restorante dhe salla.
Në shkolla dhe kopshte mund të vendoset detyrimi për testim dhe detyrimi për veshjen e maskave, por vetëm nga klasa e pestë (11-vjeç) e në vazhdim.
Nëse situata e infeksionit përkeqësohet, shtetet kanë autoritetin të marrin masa të mëtejshme.