Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi vlerëson se Kosova duhet të marrë shembullin e shtetit tij në mbylljen e çështjeve të hapura dhe rrugën për të ardhmen evropiane. Sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, derisa shton që ky është përfundimi të cilin e mbështet dhe e pranon Maqedonia e Veriut.
Në një intervistë për KosovaPress, ndër të tjera Grubi flet edhe për nismën e kryeministrit të Shqipërisë që lidhet me akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe ndikimin e Rusisë në Maqedoninë e Veriut.
Grubi thotë se duhet marrë shembull Maqedonia e Veriut në çështjen që kishte me Greqinë dhe Bullgarinë, zgjidhja e së cilave i hapi rrugë vendit drejt Bashkimit Evropian.
“Elita politike në Kosovë dhe elita politike në Serbi duhet të marrin shembullin e Maqedonisë së Veriut si dhe Greqisë dhe Bullgarisë në mbylljen e kontesteve dypalëshe bilaterale në mënyrë që të hapet rrugë për të ardhmen… Nuk ka zgjidhje tjetër për çështje të hapur në Evropën Juglindore midis Prishtinës dhe Beogradit pa njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë. Ky është rezultati përfundimtar të cilin ne e mbështesim dhe është i vetmi të cilin ne e pranojmë”, thotë Grubi.
Ai thekson se Kosova duhet të hap perspektiven e saj për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, derisa shton se e mbështesin për t’i arritur këto aspirata.
“Kosova nuk mund të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, Kosova duhet të hap perspektiven e vet për anëtarësim në NATO, duhet të hap perspektiven e vet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për këtë ka mbështetjen tonë absolute, pa asnjë dyshim dhe jemi në dispozicion qind për qind të agjendës dhe kauzës të shqiptarëve në Kosovë për t’i arritur këto aspirata duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, prapë them duke marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut apo me Bullgarinë. Vendimet e vështira sjellin përfitime për qatrarët e Kosovës por edhe për qytetarët e gjithë Ballkanit Perëndimor”, shton ai.
Numri dy në Maqedoninë e Veriut thotë se Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen më shumë në politikën e jashtme, madje sipas tij, janë vonuar në këto përpjekje.
Këtu ai përmend edhe nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në kërkesën e tij për të hedhur poshtë akuzat për trafikim të organeve, të cilat janë miratuar disa vjet më parë në Këshillin e Evropës në kuadër të raportit të Dick Marty-t.
“Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen shumë më tepër në politikën e jashtme, në veçanti në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe të përpjekjeve të gjithë shqiptarëve në Evropën Juglindore, për liri, drejtësi, barazi, dhe pavarësi në Kosovë si dhe njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Ky bashkërendim i aktiviteteve tona është domosdoshmëri dhe vlerësoj që jemi vonë në këto përpjekje dhe do kisha mbështetur iniciativën qoftë ajo të vije nga kryeministri Kurti apo kryeministri Rama, ndërsa neve na kanë mbështetje gjithmonë. Asnjë e keqe Kosovës nuk mund t’i vije nga Shkupi apo Tirana, përkundrazi, do të ketë mbështetjen absolute në çfarëdo qoftë nisme, rajonale, kontinentale apo globale”, thotë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut”, thotë ai.
Javë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli në Strasburg ku kërkoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të ndryshojë rezolutën e vitit 2011 dhe të hedhë poshtë akuzat për trafikim të organeve të cilat përmenden në raportin e senatorit, Dick Marty.
Kjo nismë sipas Grubit, duhet të mbështetet fuqishëm edhe nga institucionet Kosovës dhe partitë politike.
“Vlerësoj që kjo është një iniciativë të cilën duhet ta mbështesim të gjithë, institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, bota akademike dhe jo vetëm të Kosovës por të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, për arsye se kjo njollë, siç thash e padrejtë, po etiketon përpjekjet e gjithë kombit shqiptar për demokraci, për liri, për pavarësi, dhe vlerësoj që nëse unifikojmë përpjekjet tona ne do të ia dalim”, thotë Grubi.
E derisa flet për situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut, Grubi thotë se ndikimi i Rusisë atje është i dukshëm, sipas tij, nga parti politike parlamentare që hapur e përkrahin agresionin rus në Ukrainë.
“Ne jemi vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili zyrtarisht e ka një parti politike që është degë e partisë së Putinit në Rusi dhe e cila funksionon në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kemi edhe një parti tjetër parlamentare me dy deputetë e cila haptas e përkrah agresionin rus në Ukrainë, dhe është vënën ë shërbim të agjendave ruse në Kuvendin e Republikë së Maqedonisë së Veriut, nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, nuk e njeh marrëveshjen e Ohrit, dhe në programin e vet ka çnjohjen e Kosovës, anulimin e Marrëveshjes së Ohrit cila garanton të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, dhe fatkeqësisht ishte edhe në koalicion me partitë opozitare shqiptarë dhe VMRO-DPMNE për rrënimin e qeverisë pro evropiane në vend. Kështu që ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut është evident dhe nuk është larg mendjes edhe ndikimi i tyre në të gjitha këto skenarë destabilizuese ndaj shumicës parlamentare”, thotë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, Grubi thotë se koalicioni atje është i qëndrueshëm por thekson nevojën e bashkëpunimit me partitë pro-evropiane në Kuvend, në mënyrë që të arrihet zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë.
Por për këtë nevojiten 80 vota, ndërsa mazhoranca atje numëron vetëm 64 deputetë.
“Kemi hapur një thirrje për të gjithë forcat pro-evropiane të cilat janë pjesëmarrëse ne Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të na bashkëngjiten në veçanti në përpjekjen për ta ndryshuar kushtetutën në mënyrë që ta zbatojmë marrëveshjen bilaterale të cilën e kemi me Bullgarinë, duke ndryshuar preambulën e Kushtetutës dhe përfshirjen e komunitetit bullgar, malazez dhe korat në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, për të cilën na duhen gjithsej 80 deputetë, për ta rritur këtë. Prandaj kemi bërë një thirrje për afrimin me të gjitha forcat pro-evropiane në Kuvend në një bashkëpunim në ditët, javët në vijim, i cili do të sjellte një frymë pro-evropiane në Kuvend dhe në vendin tonë i cili do të mundësonte ndryshimet kushtetuese”, thotë ai.
Më 19 korrik të këtij viti, Maqedonia e Veriut ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.